Sport

Atalanta synon ta eliminojë Valencian për të vazhduar ëndrrën evropiane

Te skuadra e Atalantas po llogarisin se entuziazmi i madh që i ka kapluar të gjithë, pas debutimit në Ligën e Kampionëve, do t’i ndihmojë për të eliminuar Valencian në fazën e nokautit të kësaj gare.

Atalanta, të mërkurën (sot) e pret Valencian në ndeshjen e parë të 1/8 të finales në Champions, që nis në orën 21:00.  Ekipi që vjen nga Bergamo, edhe këtë ndeshje do ta luajë në stadiumin “San Siro” të Milanit që është 55 kilometra larg, që ka një kapacitet prej 80 mijë ulëseve dhe është katër herë më i madh, se ai i Atalantas, shkruan sot Koha Ditore.

Edhe trajneri i ekipit, Gian Piero Gasperini, është shumë i emocionuar për duelet me Valencian dhe beson se me pak fat, Atalanta shumë lehtë mund të kualifikohet në mesin e tetë skuadrave më të mira të Evropës këtë edicion. “Kjo është ndeshja që e kemi pritur me muaj të tërë. Për ne është një arritje e madhe që kemi arritur të kalojmë fazën e grupeve, por tani kërkojmë më shumë. 

Do të luajmë në ‘San Siro’ dhe me përkrahjen e tifozëve tanë, besoj se mund të marrim një rezultat të mirë për ndeshjen e kthimit”, është shprehur Gasperini. “Liga e Kampionëve është një ëndërr për ne dhe duam që kjo ëndërr të zgjasë sa më shumë që të jetë e mundur. Praktikisht, i tërë qyteti i Bergamos do të udhëtojë në Milano për ta na përkrahur drejt ëndrrës sonë”. 

Edhe pse fazën e grupeve e nisi me humbje në tri ndeshjet e para, Atalanta arriti të kualifikohet në fazën e nokautit. Për ndeshjen ndaj Valencias, Atalanta do të futet në fushë maksimalisht e motivuar për shkak se vjen nga fitorja në kampionat kundër Romës, që e mposhti të shtunën e shkuar 2:1 në stadiumin “Atleti Azzurri d’Italia”. 

Kjo fitore e ka forcuar Atalantan në pozitën e katërt në tabelë, duke shtuar gjasat për pjesëmarrje në Champions, edhe edicionin e ardhshëm. 

“Të gjithë jemi maksimalisht të motivuar dhe jemi të gatshëm për ndeshjet ndaj Valencias, që është një ekip i fortë dhe me traditë në Ligën e Kampionëve”, ka shtuar mesfushori i Atalantas, Mario Pashaliq. 

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)