Sport

Kosova kthehet në garën ku e ka suksesin e vetëm

Të enjten (19:00), përfaqësuesja e Kosovës në basketboll e luan ndeshjen e parë në parakualifikimet për Botërorin e vitit 2023. Në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova luan ndaj Islandës, në kuadër të grupit B, ku janë edhe Sllovakia e Luksemburgu.

Parakualifikimet e Botërorit nuk janë të panjohura për “dardanët”. Madje është “skena” e vetme ku përfaqësuesja ka arritur sukses deri më tani.

Në parakualifkimet e Botërorit 2019, Kosova ishte në grupin C së bashku me Estoninë e Maqedoninë. Më 2 gusht të vitit 2017 në Prishtina, Kosova fitoi 72:68 ndaj Maqedonisë. Ishte fitorja e parë ndërkombëtare. Më pas Kosova humbi në udhëtim nga Estonia (76:50) dhe Maqedonia (87:74), ndërsa në fund, më 19 gusht të vitit 2017, e mposhti Estoninë në Prishtinë me shifrat 75:69. Me dy fitore e dy humbje, Kosova u rendit e dyta në grup dhe avancoi tutje. E para ishte Estonia me tri fitore e një humbje, ndërsa kualifikimin nuk e arriti Maqedonia, që u rendit e treta (e fundit) në grup një fitore e tri humbje. Kualifikimi ishte vlerësuar historik për Kosovën, raporton Koha.net.

Suksesi nuk ishte vazhduar edhe në fazën e parë të kualifikimeve. Në një kampanjë me plot telashe e vështirësi, Kosova i kishte humbur të gjitha gjashtë ndeshjet. Kishte mbetur prapa Lituanisë, Polonisë e Hungarisë.

Në skenën ndërkombëtare, Kosova ka debutuar në kualifikimet për Eurobasket 2017. Në verën e vitit 2016 garoi në grupin E, ndërsa humbi të gjitha gjashtë ndeshjet. Kundërshtarë i kishte Slloveninë, Ukrainën e Bullgarinë.

Në kualifikimet për Eurobasket 2021, Kosova fillimisht humbi të gjitha katër ndeshjet në raundin e dytë të parakualifikimeve. Pësoi nga dy humbje prej Maqedonisë dhe Rumanisë. Nuk ia doli të kalojë në kualifikimet e rregullta as përmes raundit të tretë parakualifikues. Humbi dy ndeshje nga Britania e Madhe, ndërsa ndaj Luksemburgut kishte një fitore e një humbje. Mbeti në vend të dytë në grup që nuk mjaftoi për të shkuar tutje.

Kosova sërish starton në parakualifikime për Botëror, në raundin e parë të tyre. Synon njërën nga dy pozitat e para, që sigurojmë kalimin tutje.

“Kemi ekip për të arritur sukses. Me punën që do të bëjmë, shpresoj shumë se do të tregojmë lojëra të mira”, ka thënë Drilon Hajrizi, njëri prej basketbollistëve kryesorë të Kosovës.