Sport

Arritja e shpejtë te suksesi e trajnerit të ri të Pejës

Në mbrëmjen e 9 shkurtit u zyrtarizua si trajner i ri i Pejës, ndërsa në mbrëmjen e 15 shkurtit festoi Kupën e Kosovës me ekipin pejan. Trajneri boshnjak Adis Beçiragiq ka pasur fillim të furishëm te skuadra e basketbollit Peja.

Peja të shtunën mbrëma në Rahovec e mposhti Golden Eagle Yllin me shifrat 79:64 për të fituar Kupën e Kosovës. Dorë në këtë sukses ka trajneri i ri i Pejës, Beçiragiq. Ai u zyrtarizua vetëm të dielën mbrëma (9 shkurt), ndërsa të hënën e kaluar u vendos në Pejë. Të martën në çerekfinalen ndaj Pontes nuk ishte në stol, ndërsa debutoi në gjysmëfinale ndaj Rahovecit, të enjten. Ndaj Rahovecit, Peja bëri kthim të madh në pjesën e dytë. Dhe me triumf ndaj Yllit fitoi trofeun e parë të edicionit.

Në fakt edhe për Pejën vlerësohet se ka arritur shumë shpejtë te suksesi. Peja në shtator është kthyer në gara, pas një viti. Por shumë më shpejtë ka arritur te suksesi trajneri Beçiragiq.

“Jam i lumtur për këtë sukses. Kur e pranova detyrën nuk kam menduar shumë nëse do të fitojmë kupën. Nuk ishte ndonjë imperativ. Por te sportisti ekziston dëshira për të fituar secilën ndeshje. Së bashku me shtabin teknik dhe lojtarët jemi munduar të bëjmë atmosferë të mirë dhe jam i lumtur që përfundoi mirë”, ka thënë Adis Beçiragiq për koha.net.

Ai vlerëson se Peja ka luajtur mjaftueshëm mirë për të fituar. Ka thënë se skuadra ka bërë gabime të shumta në mbrojtje dhe sulm.

“Pres që t’i zvogëlojmë ato që të bëjmë diçka në plejof të Superligës së Kosovës dhe në Ligën Ballkanike”.

49-vjeçari ishte pjesë e Bosnjë-Hercegovinës si lojtar në Eurobasket 1993 që mbetet më i suksesshmi për këtë përfaqësuese. Karrierën si lojtar e ka përfunduar në Turqi, ku nisi karrierën si trajner. Në Turqi njihet si Aziz Bekir, ndërsa ka karrierë të pasur në këtë vend. Ka drejtuar skuadra të shumta si Konyaspor, Ushak, Petkim, Gaziantep, Darushafaka, Galatasaray.

Në Kosovë ka ardhur me ndërmjetësimin e trajnerit të suksesshëm Oktaj Mahmuti, që ka prejardhje shqiptare.

“Oktaj Mahmuti më ka pyetur nëse jam i gatshëm të punojë në Kosovë. Kështu ka ardhur te ideja që të punojë këtu”, ka thënë Beçiragiq. Për aq sa ka parë në turneun e Kupës, Beçiragiq vlerëson se në Kosovë mund të luhet mbrojtje dukshëm më e fortë.