Sport

Gjithçka që duhet të dini për fundjavën në NBA

Foto: AP

Ky është vikendi i vitit ku basketbollistët më të mirë të NBA janë pjesë e së njëjtës palestër në të njëjtën kohë. Të shtunën do të zhvillohen garat për ngulitjen më të mirë, për “snajperistin” më të mirë nga vija për tri pikë dhe gara e aftësive. Ndërkohë, takimi i “All-Starit” luhet të dielën në mbrëmje.

Gara e aftësive është kur dy basketbollistë në të njëjtën kohë, me pengesa të ngjashme, kërkojnë që të mbërrijnë në finish me lëvizje sa më të shpejta. Gara nis me tetë basketbollistë dhe katër nga ta menjëherë kalojnë në rundin e dytë. Njësoj ndodh edhe për të shkuar deri në finale dhe në fund shpallet fituesi.

Adebayo, Beverley, Dinwiddie, Gilgeous-Alexander, Middleton, Sabonis, Siakam dhe Tatum do të jenë pjesëmarrës.

Gjithashtu gara për tri pikë do të zhvillohet të shtunën. Tetë basketbollistë gjuajnë nga pesë pozita të ndryshme për tri pikë. Katër pozita do të kenë nga katër topa zyrtarë të ndeshjeve që kanë vlerën e një pike dhe një top me ngjyra që ka vlerën e dy pikëve, transmeton KTV.

Këtë vit, dy topa të rinj do të vendosen rreth 2 metra larg vijës për tri pikë, me vlerën e tri pikëve për secilin kosh. Të gjithë garuesit do t’i kenë 70 sekonda për të gjuajtur 27 topa në total. Lojtarët garues janë Bertans, Booker, Graham, Harris, Hield, LaVine, Robinson dhe Young.

E gara që cilësohet si më interesantja, është gara e ngulitjeve. Basketbollistët do të kenë dy ngulitje me nga tri tentime për secilën, dhe do të mundohen ta impresionojnë panelin e përbërë nga pesë ish-lojtarë të ligës NBA nga të dyja konkurrencat apo që janë ende aktiv, e që do të vlerësojnë me notat nga 6 deri në 10. Connaughton, Gordon, Hoëard dhe Jones Jr. do të jenë garuesit e ngulitjeve.

Sidoqoftë, sytë do të jenë edhe në duelin e “All-Starit”, që mbetet ngjarja kryesore, me ekipin e LeBron Jamesit në njërën anë, kundër skuadrës së Giannis Antetokounmpos.

Para garave të së dielës, Jennifer Hudson do të ketë paraqitje në kujtim të veçantë të familjes Bryant dhe viktimave tjera.

Gara e ngulitjes, e trepikëshave dhe e aftësive do të nis të shtunën, kurse vikendin e mbyll loja e All-Starit. Të gjitha këto do të zhvillohen në palestrën United Center të Chicagos.