Sport

Latifi akuzon gjyqtarët pas debutimit me humbje në “UFC 247”

Descriptive Text

Ilir Latifi, i cili debutoi me humbje në peshën e rëndë “UFC 247”, duke pësuar humbje nga Derrick Lewis, ka lëshuar akuza ndaj gjyqtarëve të këtij meçi.

Përmes një postimi në Facbook, Latifi thotë se kundërshtari i tij, përpos që e kishte sallën e mbushur me fansa të vet, “i kishte edhe gjyqtarët”.

“Kur vendosa të pranoja këtë sfidë dhe të luftoja me Derrickun në vendlindjen e tij, njerëzit menduan se jam i çmendur. E teksa po hyja në arenë të shtunën për t’u ndeshur ndaj Derrick Lewisit, krenaria e Houstonit, e dita se beteja s’do të jetë e lehtë. Turma ishte aty për të, e madje edhe gjyqtarët”, shkroi Latifi në këtë postim në Facebook, raporton Koha.net.

Ai shton se është i mendimit që meçin e ka fituar, dhe thotë se këtë e mendojnë edhe shumë shikues.

“Mendoj se e fitova atë përballje, e njëjtë mendojnë edhe shumë fansa e shikues, por çka t’i bësh”, tha Latifi.

Si luftëtarë, Latifi thotë se “sakrifikojmë dhe rrezikojmë shumë” për këtë sport dhe është se është shumë e rëndë të shohësh se si “luajnë me punën dhe dedikimin e njerëzve”.

“Shpresoj që në të ardhmen do të shohim gjyqtarë dhe sistem të notimit të bërë për MMA nga përvoja e vërtetë e këtij sporti, si nga luftëtarë e trajnerë që e kuptojnë më mirë sportin dhe mund të bëjnë gjykime më të mira”, përfundoi ai.

Meçi ndërmjet Latifit e Lewisit ishte kryesori në “Toyota Center” në Houston, Teksas.

Lewisi e fitoi këtë meç me vendim unanim të gjyqtarëve, 29-28, derisa pas takimit tha se ka konsumuar marihuanë gjatë gjithë kohës në javën e fundit para meçit me Latifin.