Sport

Ponte paralajmëron fundin e shkëlqimit të Yllit

Descriptive Text

Te Ponte Prizreni ka optimizëm të madh para ndeshjes kampionale kundër Golden Eagle Yllit, që zhvillohet të premten (sot) në Prizren prej orës 17:00, në kuadër të xhiros së 25-të të Superligës së Kosovës.

Trajneri i Ponte Prizrenit, Arbnor Rifati, beson se ekipi i tij është në gjendje ta mposhtë Yllin, për t’ia shkaktuar humbjen e parë këtë vit. Ylli është ekipi i vetëm që në pjesën e dytë të këtij edicioni nuk di për humbje, ka pesë fitore në po aq ndeshje. Këtë seri pozitive të Yllit, skuadra prizrenase po synon ta ndërpresë. Ponte Prizreni këtë vit ka zhvilluar gjashtë ndeshje, duke regjistruar katër fitore e dy humbje. Ka mposhtur edhe Pejën e përforcuar. Ponte aktualisht zë vendin e katërt në tabelë me 35 pikë, një më pak se Ylli që është i treti, shkruan sot Koha Ditore.

“Do të jetë një ndeshje shumë e fortë, pasi këtë edicion nuk ka kundërshtar të lehtë, por ne jemi të gatshëm për shkak se edhe luajmë në shtëpi. Sikurse në çdo ndeshje tjetër që futemi për fitore, ngjashëm do të jetë edhe kundër Yllit. Pra, kërkojmë fitoren në këtë derbi”, është shprehur Rifati të enjten.

Edhe te Ylli presin ndeshje të fortë, por jo ndërprerje të serisë pozitive. Trajneri Dragan Radoviq shpreson në paraqitje të mirë të ekipit.

“Jemi përgatitur për këtë ndeshje që nuk do të jetë e lehtë, por nëse luajmë siç kemi luajtur deri më tash, atëherë do të vijë edhe fitorja e radhës”, ka thënë Radoviq.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)