Sport

Shkëlqimi i Yllit po shtohet nga ndeshja në ndeshje

Descriptive Text

Trajneri Dragan Radoviq nuk ka pritur formë kaq të mirë të Golden Eagle Yllit në pjesën e dytë të edicionit në Superligën e basketbollit, por insiston se ekipi i tij në të ardhmen mund të ketë paraqitje edhe më të mira.

Në pesë ndeshje të zhvilluara këtë vit, Ylli ka po aq fitore dhe është ekipi i vetëm që nuk di për humbje. Kjo formë e mirë ka bërë që Ylli të ngjitet në pozitën e tretë në tabelë me 36 pikë të tubuara, një më pak se Sigal Prishtina, që është e dyta dhe dy më pak se Rahoveci që mbetet lider i Superligës. Deri më tash Ylli ka mposhtur Rahovecin, Bashkimin, Trepçën, Lipjanin e Feronikelin, derisa të premten synon të triumfojë edhe ndaj Ponte Prizrenit në kuadër të xhiros së 25-të, shkruan sot Koha Ditore.

“Tash për tash mund të them se jam i kënaqur vetëm me rezultatet, edhe pse nuk kam pritur një seri të tillë fitoresh. Sa i përket lojës, besoj se ekipi mund të luajë edhe më mirë dhe këtë e pres në vazhdim të kampionatit”, ka thënë Radoviq, i cili në krye të Yllit erdhi në fund të muajit tetor duke e zëvendësuar Arben Krasniqin.

Radoviq e njeh mirë kampionatin e Kosovës, pasi ka fituar një titull, kur në edicionin 2017/18 shpalli Bashkimin e Prizrenit kampion. Pavarësisht rezultateve të mira, Radoviq ka paralajmëruar ekipin e tij dhe ka shtuar se është shumë e rëndësishme që të gjithë të qëndrojnë me “këmbë në tokë”. Trajneri nga Mali i Zi insiston se ndeshjet i merr një nga një dhe pranon se këtë edicion konkurrenca në basketbollin e Kosovës është shumë e madhe.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)