Sport

Guardiola donte ta aktivizonte Neuerin në mesfushë

Descriptive Text

Trajneri spanjoll Pep Guardiola, kishte shqyrtuar mundësinë që të aktivizonte portierin Manuel Neuer në mesfushë, sa ishte trajner i Bayern Muenchenit.

Këtë e ka bërë të ditur shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl-Heinz Rummenigge, raporton Reuters.

“E mbaj në mend kur Pep Guardiola, pasi fitoi kampionatin, shqyrtoi seriozisht idenë që të aktivizonte Neuerin në mesfushë në një ndeshje”, ka thënë Rummenigge për revistën e klubit “51”. “Kisha telashe që të bindja Guardiolan të hiqte dorë nga kjo ide, që disa do ta merrnin si arrogancë”.

Bayern Muencheni dominoi Bundesligën në kohën e Guardiolas, nga viti 2013 deri më 2016.

Rummenigge pajtohet se aftësia e Neuerit me top nënkupton se nuk ishte ide aq e çmendur nga Guardiola, transmeton Koha Ditore.

Neueri shquhet për lojën e tij me këmbë dhe po ashtu për daljet e tij nga porta, ku edhe ka revolucionarizuar pozitën e portierit.

“Manueli ka sjellë futbollistin në pozitën e portierit dhe ka revolucionarizuar atë pozitë. Jam i sigurt se ai do t’ia dilte në mesfushë”, ka thënë Rummenigge, ndonëse shton se Rene Higuita i Kolumbisë ka shpikur rolin “mbrojtës-portier” në vitet 1990-a dhe meksikani Jorge Campos nganjëherë luante si sulmues për klubin e tij UNAM.

Guardiola kishte fituar Bundesligën në tre stinorët e tij te Bayerni, por dështoi ta fitonte Ligën e Kampionëve.