Sport

Fazliji me paraqitje siguron fitoret, me gol siguron kreun

Betim Fazliji po luan edicionin e tij të parë në Superligën e Zvicrës, por shpejt ka dalë nga hija. Ai u bë i njohur për faktin se St. Galleni shënonte fitore në secilën ndeshje në të cilën paraqitej 20-vjeçari. Të dielën mbrëma, Fazliji shënoi golin e parë në Superligën e Zvicrës dhe St. Galleni mori kreun e tabelës. Pas xhiros së 20-të të kampionatit helvetik, St. Galleni udhëheq me 41 pikë sa i ka edhe Young Boysi në vendin e dytë. Baseli renditet i treti me 36 pikë.

Pikërisht në derbin në udhëtim ndaj Baselit, Fazliji hapi llogarinë e tij të golave. St. Galleni fitoi 2:1 dhe duke shfrytëzuar humbjen 2:0 të Young Boysit nga Luzerni, kaloi në pozitën e parë. Baseli kaloi në epërsi në minutën e 19-të, ndërsa në minutën ‘44 Fazliji barazoi shifrat në 1:1. Pas një goditjeje nga këndi, Fazliji dështoi të godasë topin me kokë. Topi goditi një lojtar të Baselit dhe u ndal në zonë, ndërsa Fazliji zgjati këmbën dhe me goditje jo shumë të fortë, dërgoi topin në rrjetë. Golin e fitores St. Galleni e shënoi në minutën e 93-të.

Fazliji luan si mesfushor defanziv. Për të ishte paraqitja e 12-të dhe fitorja e 12-të këtë edicion. St. Galleni ka shënuar vetëm një fitore pa Fazlijin në fushë. Ai ka munguar në dy ndeshje për shkak të një lëndimi, ndërsa në disa tjera ishte në stol por nuk u aktivizua.

“Është shumë moment i mirë që kam shënuar gol për klubin. Kam shënuar në një moment të rëndësishëm. Për herë të parë kam luajtur në Basel dhe kam shënuar menjëherë gol. Vendi i parë është diçka shumë e mirë për ne, por duhet të fokusohemi në secilën ndeshje”, ka thënë Fazliji të dielën mbrëma për gazetën. Ai është nga Lugina e Preshevës, por i rritur në Zvicër. Në dy edicionet e kaluara kishte luajtur për ekipin U-21 të St. Gallenit në kategorinë e tretë zvicerane. Këtë edicion po luan për herë të parë me ekipin senior. Te St. Galleni, Fazliji është prej vitit 2014. Pra, është rritur te ky klub, me të cilin ka kontratë deri në verën e vitit të ardhshëm. Ai ka luajtur për dy ekipe të vogla zvicerane para se t’i bashkohej St. Gallenit... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)