Sport

Mata kërkon trofeun e parë europian me Unitedin

Juan Mata ka thënë se ndeshja e sotme kundër Ajaxit në finale të Europa Ligës është shumë e rëndësishme për sezonin e Manchester Unitedit.

Ekipi anglez do të përballet me holandezët në Friends Arena në Stokholm për trofeun e dytë në këtë sezon. Përveç trofeut, djelmoshat e Jose Mourinhos do të siguronin një vend në Ligën e Kampionëve.

“Është e rëndësishme për ne. Mund ta fitojmë trofeun që klubi kurrë nuk e ka fituar, një trofe europian dhe natyrisht mundësia për të luajtur në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Prandaj e kemi marrë me seriozitet dhe jemi të përqendruar në fitore”, ka thënë Mata për kanalin zyrtar të Unitedit.

“Kemi luajtur shumë ndeshje, por kur arrini në finale, fuqia mendore është më e madhe sesa ajo fizike. Ky ishte qëllimi im kur erdha – të fitoja trofe. Shpresoj të fitojmë sonte dhe pastaj sezonin e ardhshëm të shtojmë një tjetër. Prejse kam ardhur këtu kemi fituar trofe, por jo europian prandaj është e rëndësishme që të luajmë në Europë”.