Sport

Bastisen zyrat e klubit belg, Standard

Hetuesit belgë kanë bastisur zyrat e klubit të futbollit Standard Liege dhe shtëpinë e presidentit të klubit të mërkurën, si pjesë e një hetimi për korrupsion në transaferimin e lojtarëve, kanë njoftuar mediumet belge.

Klubi, një prej të mëdhenjëve në Belgjikë, ka konfirmuar bastisjet në një komunikatë të shkurtër për media, duke thënë se është lidhur me hetimet e gjëra me qendër një agjent futbolli që është arrestuar në Monaco vitin e kaluar, transmeton Koha Ditore.

Zyra e prokurorit federal ka njoftuar se dy bastisje janë bërë në zonën e Lieget dhe se janë konfiskuar dokumente, të dhëna kompjuterike dhe celularë. Nuk ka pasur arrestime.

Standard Liege ka thënë se klubi dhe presidenti Bruno Venanzi do të bashkëpunojnë plotësisht.

Agjenti me seli në Monaco, Christophe Henrotay, ishte arrestuar me kërkesë të një gjykatësi nga Brukseli në shtator.

Ai ishte përfshirë në një seri të transferimeve ndërkombëtare dhe në mesin e klientëve të tij janë portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois dhe sulmuesit anësorë Yannick Carrasco dhe Kevin Mirallas.