Sport

Rahoveci mposht Bashkimin

Rahoveci e ka mundur Bashkimin me rezultat 101:81 (23:24, 30:23, 27:15, 21:19), në derbin e xhiros së 23-të në Superligën e Kosovës në basketboll.

Kjo ishte fitorja e pestë radhazi e “Vreshtarëve” në stinorin pranveror nga po aq ndeshje të zhvilluara.

Të dy skuadrat ishin të barabarta në çerekun e parë që përfundoi 23:24. Por, në periodën e dytë, vendasit ishin më të mirë, duke fituar 30:23, për të shkuar në pushim me rezultat 53:47. Vreshtarët ishin edhe më bindës në periudhën e tretë, duke e fituar 27:15, derisa rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 80:62. 10-minutëshi i fundit përfundoi 21:19 dhe Rahoveci fitoi 101:81.

Te Rahoveci u dalluan Darell Davis me 21 pikë e nëntë kërcime, Joshua McFolley me 21 pikë e 10 asistime, Altin Morina me 16 pikë e nëntë asistime dhe Alban Veseli e Aron Nwankwo me nga 14 pikë, derisa te Bashkimi më të mirët në fushë ishin Terik Bridgeman me 20 pikë e tetë kërcime Musab Mala me 15 pikë dhe Corey Ross me 14 pikë.

Rahoveci vazhdon të jetë lider me 16 fitore dhe pesë humbje, kurse Bashkimi ka 12 fitore dhe tetë humbje.