Sport

“Bild”: Dajaku, ylli i ri i Bayernit

Foto: Koha

Sulmuesi kosovar, Leon Dajaku, po shihet si ylli i ri i Bayern Muenchenit, ka shkruar të martën e përditshmja gjermane “Bild”.

Dajaku 18-vjeçar, në ndeshjen e fundit që Bayerni e fitoi 4:0 ndaj Hertha Berlinit (4:0), u inkuadrua në minutën e 80-të, shkruan Koha Ditore. Për Dajakun, kjo ishte paraqitja e dytë në Bundesligë pas asaj ndaj Wolfsburgut. “Bild” ka shkruar se trajneri i Bayernit, Hansi Flick, po e përgatit Dajakun për t’i dhënë minutazhë më të madhe në pjesën e dytë të këtij edicioni në Bundesligë, që nisi vikendin e shkuar.

“Leon Dajaku deri më tash ka 11 minuta në Bundesligë te Bayerni dhe qysh tash po shihet si ylli i ri i ekipit dhe po përgatitet për minutazhë më të madhe”, ka shkruar “Bild”.

Dajaku këtë edicion ka stërvitur me ekipin e parë të Bayernit, por ka luajtur edhe me rezervistët në kategorinë e tretë, duke shënuar tre gola deri më tash.

Dajaku te Bayerni u transferua verën e shkuar nga Stuttgarti për 1.5 milionë euro dhe me bavarezët ka kontratë deri në vitin 2023.