Sport

Moses pranë transferimit tek Interi

Descriptive Text

Lojtari i krahut i Chelseat, Victor Moses, pritet t’i bashkohet Interit gjatë kësaj jave, raportoi “SportItalia” të hënën.

Nigeriani Moses do të shkojë në Itali të martën (sot) për t’iu nënshtruar testeve mjekësore tek Interi. Ai aktualisht është i huazuar te Fenerbahçe në elitën e futbollit turk, por pritet të ndërpresë marrëveshjen e huazimit në Turqi dhe t’i bashkohet Interit të Antonio Contes, transmeton Koha Ditore.

Nigeriani kishte luajtur nën urdhrat e Contes te Chelsea nga viti 2016 deri më 2018 dhe luajti rol vendimtar në sistemin 3-4-3 të Contes, ndërsa Chelsea fitoi Premier Leaguen në edicionin 2016-17.

Interi raportohet se ka arritur marrëveshje huazimi me Chelsean, ndërsa ka opsionin për të transferuar futbollistin për dhjetë milionë euro.

Moses ka luajtur vetëm shtatë ndeshje me Fenerbahçen në pjesën e parë të këtij stinori. Ai ka shënuar një gol dhe ka asistuar një tjetër.

Moses me Nigerinë ka luajtur 38 ndeshje dhe ka shënuar 12 gola.