Sport

Shaqiri shpreson t’iu kthehet stërvitjeve gjatë javës

Foto: Reuters

Xherdan Shaqiri i ka munguar Liverpoolit edhe të dielën në fitoren 2:0 ndaj Manchester Unitedit, me të cilën fitore ka bërë edhe një hap drejt titullit në Premier League.

Shaqiri ka munguar për shkak të një lëndimi të vogël muskulor. Por reprezentuesi i Zvicrës shpreson që të kthehet shpejt te Liverpooli. Ai në fakt ka munguar shumicën e kohës këtë edicion për shkak të lëndimeve, shkruan Koha Ditore.

Ka vetëm gjashtë ndeshje në Premier League. Ishte aktivizuar fare pak ndaj Tottenhamit më 11 janar.

“Ishte lëndim i lehtë, kam pasur një problem të vogël në stërvitje”, ka thënë Shaqiri të hënën paradite për sajtin zyrtar të Liverpoolit. “Kështu që shpresoj se do të jem në gjendje të kthehem më vonë këtë javë. Të shohim, nuk mund të garantoj, por do të ishte mirë nëse kthehem”. Shaqiri ka pranuar se është i frustruar për shkak të lëndimeve të shpeshta këtë edicion.

“Nuk kam qenë shumë në ritëm të ndeshjeve. Kam munguar në fazën përgatitore dhe ka pasur disa arsye për mungesat. Por po qëndroj pozitiv dhe ende po mundohem të kam mundësi për të dhënë më të mirën dhe për të ndihmuar ekipin”, ka thënë ylli kosovar.