Sport

Shields synon të vazhdojë me histori në boks para se të provohet në MMA

Me veshje boksi në formë të gladiatorit, Clarresa Shields, u fut në ring, ndërsa stafi i saj gjithë meshkuj, ia vendosi kurorën në kokë. Gjithë koreografia rreth hyrjes së Shildsit në ring në meçin për titull më 10 janar kishte të bënte me deklarim të fuqisë së femrës.

Në atë mbrëmje, në meçin e saj ndaj Ivana Habazinit të Kroacisë, ishin në pyetje titujt WBC dhe WBO në peshën supervelter, transmeton Koha Ditore shkrimin e Washington Post.

Me fitore, Shields do të bëhej më e shpejta në histori të boksit që fitoi tituj bote në tri kategori të ndryshme, në rastin e saj duke humbur peshë në vend se të shtonte. Ajo e nisi karrierën në peshën super të mesme, para se të binte në atë të mesme. Ndaj Habazinit ra në peshën supervelter. E gjithë kjo në vetëm dhjetë meçe në karrierën profesioniste.

Meçi, po ashtu, ishte një moment vendimtar për Shieldsin, që planifikon të nisë stërvitjet për debutim në Artet Marciale të Përziera (MMA) në fillim të vitit 2021. Plani i saj për t’u bërë yll në dy sporte është mjaft i guximshëm.

Mirëpo, me gjithë mburrjen që tregon në ring, ajo është modeste teksa thotë se duhet të mjeshtërojë disa disiplina luftarake për t’ia dalë në MMA. Në muajt në vijim, ajo do të merret si me boks, ashtu edhe do të stërvitë me ekspertë në kikboks, jiu-jitsu, mundje dhe në disiplina të tjera luftarake.

Janë ngritur kështu pyetje për të ardhmen e boksit të femrave: A ka mjaftueshëm pretenduese të denja për të vazhduar ta sfidojnë Shieldsin, që e ka shpallur veten si më të mirën e të gjitha kohërave?

“Unë jam më e mirë se të gjitha ato”, thotë Shields, që është amerikania e vetme që fitoi dy medalje të arta olimpike, para se të debutonte në boksin profesionist. “Nuk do të thotë se nuk ka shumë femra atje që mund të garojnë dhe të tentojnë. Por, të gjitha do të dështojnë!”. Në radhë ishte Habazin.

Gjaku i keq mes tyre

Boksi gjithmonë do të jetë dashuria e parë e Shieldsit. Nga Flinti në Michigan, ajo ka qenë duke stërvitur që kur ishte 11-vjeçare, duke kërkuar ikje nga një fëmijëri e kaluar në varfëri me abuzime. Ajo mbetet e vendosur për t’u përmirësuar, ndërsa synon të rrisë profilin dhe po ashtu fitimet në boksin e femrave.

Ajo i kishte të garantuara 300 mijë dollarë nga meçi me Habazinin. Është dukshëm më pak se 4 milionë dollarë që kampioni i peshës së rëndë Deontay Wilder kishte marrë në dhjetor të vitit 2018 për përballje me Tyson Furyn. Dhe Wilder mori në total 10 milionë dollarë, kur u llogaritën edhe fitimet nga televizioni ma pagesë....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)