Sport

Raboshta, sulmuesi që la Vushtrrinë në kërkim të sukseseve me Llapin

Edicionin e nisi te Vushtrria që u kthye në Superligë, por do ta mbyllë me fanellën e Llapit, të cilit ekip iu bashkua këtë muaj. Është ky sulmuesi nga Shqipëria, Jasmin Raboshta, që po shpreson ta ndihmojë Llapin me gola, të paktën për të siguruar një vend në garat evropiane.

Raboshta te Llapi është transferuar për ta zëvendësuar një sulmues tjetër nga Shqipëria, Sebino Plakun që erdhi me bujë të madhe para fillimit të këtij edicioni. Llapi e liroi Plakun që të bashkohet me Gjilanin në janar dhe pak ditë më vonë, njoftoi për transferimin e Raboshtës, shkruan sot Koha Ditore.

Kalimi i tij te Llapi nuk u prit mirë nga tifogrupi i Vushtrrisë “Forca” që reagoi ndaj kryesisë së klubit pse e la të lirë njërin prej lojtarëve më të mirë në ekip.

“Edhe pse nuk doja të largohesha nga Vushtrria kjo gjë ndodhi për shkak të rrethanave që u krijuan gjatë pushimit. Unë e falënderoj këtë klub nga zemra, pavarësisht situatave jo të mira që u krijuan për shkak se jam pritur shumë mirë dhe jam ndier si në shtëpinë time. Po ashtu, fjalë të mira kam edhe për tifozët që më kanë përkrahur gjithmonë”, shprehet Raboshta 29-vjeçar.

Raboshta ka kontratë me Llapin deri në fund të këtij edicioni, por me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai është i vendosur që me paraqitjet dhe golat t’i bindë drejtuesit e ekipit llapjan për ta ndalur edhe për edicionin e ardhshëm. Ai te Llapi është transferuar që t’i prijë repartit të sulmit, i cili në pjesën e parë nuk ndezi me Plakun.

“Unë vetëm dua t’i shërbej ekipit, qoftë me lojë, asistime apo gola që të arrij synimin që ka për këtë edicion, pjesëmarrjen në garat evropiane. Një gjë e tillë është e mundshme, pasi Llapi ka skuadër të mirë që mund të rivalizojë secilin kundërshtar”, shtoi Raboshta. Ai beson se në pjesën e dytë do të jetë shumë më efikas sesa në të parën.

Ai e nisi mirë te Vushtrria dhe qysh në ndeshjet e para realizoi katër gola në Superligë, por pastaj ndodhën ndërrimet e shumta të trajnerëve dhe Raboshta nuk mund të përshtatej në sistemin e të gjithëve.

Vushtrria e nisi me Bekim Shotanin, vazhdoi me Antonio Toman përpara se pjesën e parë ta mbyllte me Fitim Llapashticën. Përfundoi në pozitën e parafundit në tabelë me 15 pikë nga 17 ndeshje.

Synimet me ekipin e ri, dalja në Evropë

“Te Vushtrria u krijuan situata të ndryshme dhe tek unë ndikoi edhe ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve, pasi po të vazhdonim me Bekim Shotanin besoj se do të kisha më shumë gola, por edhe në tabelë ekipi do të ishte më lart. Edhe te Llapi do të jap maksimumin nga vetja sikurse te Vushtrria dhe besoj se do të kam më shumë raste shënimi dhe do të dëshmohem si golashënues”, shtoi Raboshta.

Edhe pse Llapi është dhjetë pikë larg pozitës së parë, Raboshta beson për një kthim të fuqishëm të ekipit që udhëhiqet nga Tahir Batatina. Ai pranon se favoritë për titull mbesin Ballkani, Gjilani, Drita dhe Prishtina....(Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)