Sport

Kosova në hendboll pëson nga Rumania në kualifikueset për botëror

Pas barazimit dramatik në çastet e fundit ndaj Italisë, Kosova në ndeshjen e dytë kualifikuese për botëror, ka pësuar disfatë ndaj Rumanisë me rezultat të thellë 32:21.

Hendbollistët kosovarë kanë përjetuar humbjen në rundin e parë kualifikuese për botërorin e vitit 2021, transmeton KTV.

Kosova e realizoi golin e parë në këtë përballje për 1:0, pastaj në vazhdim rumunët ishin krejt në nivel tjetër, duke mbyllur pjesën e parë me 8 gola më shumë se Kosova, 15:7

Në pjesën e dytë, djelmoshat e drejtuar nga trajneri Taip Ramadani, pavarësisht përpjekjeve, nuk arritën për asnjë moment të kthehen në lojë, me rumunët që deri në fund vetëm e thelluan avantazhin e krijuar qysh nga pjesa e parë.

Egzon Gjuka ishte më i dalluari te Kosova me 7 gola kurse Fatlum Ahmeti shtoi 4 sosh.

Me këtë disfatë, Kosova humb gjasat për t’u kualifikuar tutje, pasi Rumania pozicionohet e para në grup me dy fitore në po aq ndeshje.

Kosova duelin e fundit në këto kualifikuese e zhvillon ndaj Gjeorgjisë, të dielën më fillim nga ora 16.00.