Sport

Aeroplani i kombëtares së Kosovës fluturon mbi Iran - tmerrohet Zymer Bytyqi

Foto: Itromso

Situata e tensionuar në Iran, që gjendet në mes të një konflikti me SHBA-në, të premten u rrit edhe më shumë, kur Qeveria e këtij vendi pranoi se sulmet me raketa, gabimisht kishin rrëzuar aeroplanin e linjës ajrore të Ukrainës.

Një gabim njerëzor e kishte quajtur presidenti i Iranit Hassan Rouhani, rrëzimin e aeroplanit, me ç’rast humbën jetën 176 persona, raporton KTV.

Ky rast që tronditi botën, ka prekur edhe futbollistin e Kosovës Zymer Bytyqi, i cili është pjesë e kombëtares për miqësoren e së dielës, ndaj Suedisë në Katar.

Për mediat norvegjeze, Bytyqi citohet të ketë thënë se është i tronditur nga rasti, e mbi të gjitha që aeroplani i Kosovës, në rrugën drejt Katarit, ka përshkuar edhe territorin e Iranit.

“Lojtarët e ligës elite, në kampin stërvitës në vendin fqinj të Iranit - U tmerrova kur pashë se çfarë ndodhi”, është titulli i gazetës norvegjeze “Aftenposten” që në fokus ka sulmuesin e Kosovës, Zymer Bytyqi dhe një deklaratë të tij për këtë rast.

Bytyqi, që është rikthyer te kombëtarja, vjen pas paraqitjeve të mira me ekipin e tij Vikings në Norvegji.

Ai do të jetë pjesë e ekipit të Kosovës, në miqësoren e 12 janarit, kundër Suedisë në Doha të Katarit.