Sport

Trajneri i Pejës e cilëson si tejet të rëndësishme fitoren ndaj Ibar Rozhajës në Ligën Ballkanike

Descriptive Text

Fitore të madhe e të rëndësishme e ka cilësuar atë ndaj Ibar Rozhajës, trajneri i Pejës Jeronimo Sharin, të mërkurën.

Peja fitoi 94:80 në Ligën Ballkanike për të dalë në vendin e dytë të kësaj gare, në ndeshjen e parë pas rikthimit të Dardan Berishës. Berisha, që kaloi nga Prishtina te ish-klubi i tij, shkëlqeu me 23 pikë në “Karagaçi” që këtë herë ishte plotësisht i mbushur.

Dardan Berisha rikthehet me fitore te Peja

“Fitore e madhe dhe e rëndësishme në një atmosferë që vetëm Peja di ta bëjë. Kemi luajtur mirë, sidomos në dy periudhat e para. Po shihet që ekipi ka nevojë ende për komponim dhe besoj se me kalimin e kohës do të jemi në formën më të mirë, megjithatë jam i kënaqur me këtë fitore. Është motiv për vazhdimin e garave. Po shihet qartë që Dardan Berisha dhe Arti Hajdari i kanë dhënë cilësi ekipit të cilit tash i mungon vetëm edhe një qendër për t’u kompletuar. Për pak ditë do të bëjmë ekipin që kanë pritur tifozët e Pejës qe një kohë të gjatë”, ka thënë ai në një përgjigje për Kohën Ditore.