Sport

Haxhijaj: Viti 2019, i suksesshëm për KOK-un

Descriptive Text

Komiteti Olimpik i Kosovës ka përmbyllur një tjetër vit të suksesshëm me shumë aktivitete të organizuara duke filluar nga konferencat kombëtare e ndërkombëtare, seminare dhe trajnime të ndryshme për komunitetin e sportit në Kosovë.

Përpos aktiviteteve të organizuar, Komiteti Olimpik i Kosovës, ka arritur suksese të mëdha në arenën ndërkombëtare, fal ekipeve olimpike e ku vlen të veçohen sukseset e xhudistëve tanë, si dhe të atletit Muhamet Ramadani, i cili fitoi medaljen e artë në Festivalin Evropian për të Rinj.

Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj në një intervistë për KosovaPress, ka deklaruar se viti që kemi lënë pas mund të cilësohet si një prej viteve më të suksesshëm të KOK-ut.

“Pa dyshim që viti 2019, ka qenë një prej viteve më të suksesshme që ka kaluar KOK-u, për vet faktin se vet ne si Komitetit Olimpik, kemi marrë pjesë në katër gara ndërkombëtare me ekipet tona olimpike dhe është një vit që karakterizohet me shumë medalje dhe shumë suksese tjera. Dihet që në lojërat e dyta Evropiane pjesëmarrja jonë ka qenë jashtëzakonisht e suksesshme, ne i kemi fituar tri medalje, ndër to një të artë të cilën e ka fituar Majlinda Kelmendi, medaljen e argjendtë, Nora Gjakova dhe medaljen e bronztë, Loriana Kuka. Po ashtu, kemi fituar edhe një medalje për herë të parë në festivalin evropian për të rinj, ku atleti ynë Muhamet Ramadani ka fituar medaljen e artë në hedhjen e gjyles, si dhe kemi pasur disa paraqitje të mira”, tha fillimisht Haxhijaj.

Haxhijaj përpos sukseseve të arritura nuk lë pa përmendur edhe aktivitetet e organizuara nga KOK-u, në vitin 2019, aktivitete të cilat janë në një numër të madh. Ai i cilëson këto aktivitete si tejet të nevojshme për komunitetin e sportit.

“Ky vit karakterizohet me një numër do të thosha rekord të aktiviteteve të KOK-ut, qoftë aktivitete që kanë të bëjnë me edukim, ku përfshihen trajnimi i trajnerëve të Federatave të Kosovës, pastaj kurset për administratorë të sportit, kursi i avancuar për administratorë të sportit e shumë kurse tjera që kanë të bëjnë me edukimin, po ashtu organizmin e një numri të konsiderueshëm të konferencave qoftë brenda Kosovës por edhe konferenca rajonale si ka qenë konferenca e mjekësisë sportive, konferenca e barazisë gjinore, SIGA dhe shumë të tjera”, vazhdoi ai.

Sa i përket problemeve, ai pohoi se edhe këtë vit si KOK-u, ashtu edhe federatat e ndryshme sportive kanë hasur probleme në alokimin e mjeteve nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Problem ky që është duke i shkaktuar telashe të mëdha federatave, e disa sipas tij, janë detyruar t’i anulojnë edhe disa ngjarje tejet të rëndësishme.

“Si komunitet i sportit e kemi një sfidë, që është duke na përcjellë në vazhdimësi, kjo pjesa e alokimit të buxhetit… I kemi disa sfida në këtë pjesë, sepse me vonesë ai buxhet është duke u alokuar edhe tek KOK-u edhe tek federatat.”, shtoi Haxhijaj.

Ndërsa se çfarë e pret Komitetin Olimpik të Kosovës në vitin 2020, Haxhijaj u shpreh se edhe ky vit pritet të jetë me shumë aktivite, mirëpo fokusi më i madh do të jetë tek paraqitja e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020”, aty ku synohen sukseset më të mëdha të sportistëve.

“Komitetin Olimpik e presin një numër shumë i madh i aktiviteteve sërish… Përvec kësaj ashtu sic e thash neve na presin në fillim të viti menjëherë përfundimi i kategorizimit, pastaj do ti zgjedhim më të mirët e vitit nga gjithë sporti i Kosovës, do të marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore për të rinj, fillimisht në janar ku do të participojmë me dy sportistë… Pastaj përgatitjet tona do të shkojnë drejt Lojërave Olimpike verore Tokyo 2020. Atje fokusi ynë do të jetë më i madh duke mos përjashtuar edhe aktivitete tjera që i kemi qoftë për edukim, masovizim të sportit, konferenca ndërkombëtare, trajnime të shumta, seminare”, përfundoi Haxhijaj.

Kosova në Lojërat Olimpike Tokyo 2020 pritet të marrë pjesë me një numër më të madh sportistësh, e sidomos në sportin e xhudos, aty ku janë shpresat më të mëdha për tu shtuar numri i medaljeve olimpike të fituara nga sportistët kosovar.

Majlinda Kelmendi është sportistja e vetme nga Kosova, e cila ka arritur të fitoi medalje në Lojëra Olimpike. Ajo ka fituar medaljen e artë në vitin 2016, në Lojërat Olimpike të organizuara në Rio, duke e futur kështu Kosovën në mesin e shteteve të cilat kanë fituar medalje Olimpike.