Sport

Kthimi triumfal i Behramit në Genoa

Descriptive Text

Pas përvojës jo të mirë te Sioni, Valon Behrami u kthye në Serie A dhe kjo në mënyrën më të mirë të mundshme. Ai e ndihmoi skuadrën e Genoas ta fitojë ndeshjen e rëndësishme kundër Sassuolos (2:1) në paraqitjen e parë.

Për Behramin, ky ishte kthim triumfal te Genoa, skuadër nga e cila ishte larguar para 16 vjetësh. Një ditë pas fitores ndaj Sassoulos, Behrami në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Blick” ka thënë se as që po e mendon tërheqjen nga futbolli aktiv. Mesfushori 34-vjeçar, në verën e vitit 2003 u pati transferuar te Genoa nga Lugano e më pas vazhdoi karrierën te skuadrat si Verona, Lazio, West Ham United, Fiorentina, Napoli, Hamburg, Watford e Udinese, shkruan sot Koha Ditore.

Ndaj Sassuolos, Behrami u inkuadrua në minutën e 72-të dhe Genoa me këtë fitore është ngritur në kuotën e 14 pikëve pas 18 ndeshjeve të zhvilluara, por që ende është në zonën e rrezikshme.

“Ishte një rikthim fantastik te skuadra ku e kam nisur karrierën në Itali apo saktësisht ku filloi rrugëtimi im në futboll para shumë vjetësh. Natyrisht, tani jam kthyer si një person krejtësisht tjetër, pasi të dielën isha shumë më i qetë sesa kur isha i ri”, është shprehur Behrami.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)