Sport

Zeneli po kurohet më shpejt se që ka pritur

Rehabilitimi i Arbër Zenelit po shkon edhe më mirë se që ka menduar vetë ylli i përfaqësueses së Kosovës në futboll, shkruan sot Koha Ditore.

Zeneli ka pësuar lëndim të rëndë të gjurit më 7 qershor, në ndeshjen e Kosovës ndaj Malit të Zi. Sulmuesi i krahut besohet se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e rëndësishme ndaj Maqedonisë Veriore, që Kosova e luan më 26 mars në Shkup, në kuadër të plejofit të Ligës së Kombeve.

Zeneli të premten ka dhënë një intervistë për faqen zyrtare të klubit të tij, Reims. Ai ka folur për rikuperimin, planet për vitin tjetër dhe për gjëra tjera në karrierën e tij.

“Rehabilitimi po shkon mirë, edhe më mirë se që kam menduar. Stafi dhe skuadra po më ndihmojnë shumë dhe kjo po sjell rezultate të mira. Në fillim nuk mund të bëja shumë dhe kjo ishte frustruese. Kam punuar vetëm me pjesën e epërme të trupit. Më pas kur isha në gjendje të vrapoja u bë më e lehtë për të ndier përmirësimin. Kështu po i afrohem fundit të maratonës, mund të vrapoj në drejtime të ndryshme për shembull. Por duhet të jem i durueshëm për të bërë hapat vendimtarë”, ka thënë Zeneli, që ishte në formë të lartë në kohën kur pësoi lëndimin.

Zeneli është i kënaqur me paraqitjet e Reimsit në pjesën e parë të edicionit në Ligue 1 të Francës.

“Shpresoj që do të jem në gjendje të ndihmoj ekipin në pjesën e dytë të edicionit, kur besoj se do të jem i gatshëm”, ka thënë Zeneli.

24-vjeçari ka shtatë gola në 17 paraqitje me Kosovën. Më herët ka luajtur për të rinjtë e Suedisë. Ky edicion është dashur të jetë shpërthyes për Zenelin në kampionatin francez. Ai tash është i fokusuar vetëm që të kthehet në fushën e blertë.

“Ishte një vit i vështirë, por unë jam profesionist. Jam munduar të bëj më të mirën në muajt e kaluar. Qartë se më ka munguar familja, por edhe fusha e lojës. Në ditët e fundit të vitit do të mbush bateritë në rrethin familjar. Shpresoj se 2020-a do të jetë një vit shumë i mirë”, ka thënë Zeneli.