Sport

KOK-u dhe SHGSK-ja me konferencë rreth pasqyrimit të aktiviteteve sportive në media

Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve Sportivë të Kosovës ka organizuar edicionin e tretë të konferencës “Sporti dhe Media”, ku edhe këtë vit kishte debate të ashpra rreth pasqyrimit të aktiviteteve sportive në mediat televizive dhe ato online.

Konferenca është zhvilluar në formë panelesh, në njërën anë drejtuesit e sportit dhe në anën tjetër gazetarët sportivë.

Nga drejtuesit e sportit, krahas përfaqësuesve të lartë të federatave sportive, në panel kanë qenë edhe sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj, drejtori i Departamentit të Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, Ibër Alaj, si dhe përfaqësues të lartë të federatave sportive në Kosovë, transmeton kp.

Në panelin e mediave, krahas drejtuesve të SHGSK-së dhe mediave vendore, të pranishëm ishin edhe Dëfrim Methasani, gazetar shumëvjeçar i Radio Televizionit Shqiptar, si dhe Faton Zylbehari, zëdhënës i Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe KF Shkëndija.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se pret që nga kjo konferencë të dalim shumë përfundime që do të ndihmojnë si gazetarët ashtu edhe komunitetin sportiv.

"Kjo konferencë është në përputhje me planin strategjik e caktuar një vit më parë. Tashmë kjo ka karakter tradicional dhe do të mbahet çdo vit duke trajtuar tema që e shqetësojnë komunitetin e sportit. Unë pres debate nga dy panele, sepse që të dy entitetet kanë një qëllim të përbashkët dhe ky qëllim është që aktivitet tona të përcillen në publikun e gjerë. Unë pres nga gazetarët që pikërisht në këta objektiva strategjikë të vënë fokus në mënyrë që audienca të formohen se sa po realizohen këtë objektiva", tha Hasani.

Kryetari i Shoqatës së gazetarëve sportiv, Edmond Thaqi u shpreh se kjo shoqatë në vazhdimësi është duke punuar t’u ofrojë kushte më të mira të punës për gazetarët sportiv.

"Për shoqatën është e mirëseardhur edhe kjo konferencë. Sigurisht që ne si shoqatë prioritet e kemi shtimin e kapacitetin e numrit të gazetarëve sportiv. Si bord i ri së bashku me instancat sportive jemi të gatshëm për të dhënë kontributin tonë. Shpresoj që nga kjo konferencë të dalin përfundime që kanë të bëjnë me të mirën e komunitetit", tha Thaqi.

Drejtori i Departamentit të sportit, Ibër Alaj, evidentoi pikat të cilat sipas tij mund të shërbejnë në të mirë të relacionit organizata sportive dhe gazetarë sportivë.

"Për mua çështja e parë është ngritja e një programi në Universitetin e Prishtinës, edukimi për media. Pikë tjetër është lajme të rreme, të cilat citohen nganjëherë nga burime të brendshme. Në shoqërinë moderne, sporti dhe media kërkojnë marrëdhënie të mirë që ta rrisë prodhimin dhe vlerën", tha Alaj.

Sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Shasivar Haxhijaj u shpreh se marrëveshja e nënshkruar me Agjencinë e Lajmeve KosovaPress i ka shërbyer këtij institucioni që të jetë edhe më afër mediave.

"Komiteti Olimpik i Kosovës e ka krijuar një bashkëpunim shumë të mirë me mediat në Kosovë. Ne kemi shumë aktivitete mirëpo këtë çështje të mirë me media na ka ofruar edhe nënshkrimi i marrëveshjes me KosovaPress-in. Është shumë e rëndësishme për ne të jemi partnerë për media. Ne me media kemi qenë partnerë shumë të mirë derisa ka hy në fuqi ligji për sponsor. Prej këtij momenti mediat e kanë ndalur ritmin e tyre", tha Haxhijaj.

Temat që u diskutuan në këtë konferencë ishin sfidat e sportit me mediat dhe anasjelltas, hapësira mediale e aktiviteteve të federatave në media, hapësira mediale e sportit të Kosovës në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore dhe anasjelltas, lajmet e rreme dhe ato të kopjuara, gjetja e formave më të mira të bashkëpunimit në mes komunitetit të sportit dhe medias, etj.