Sport

Fatet e ndryshme të futbollistëve shqiptarë të Bayernit

E shtuna ishte ditë e madhe për Xherdan Shaqirin. Ai me Liverpoolin e fitoi Botërorin e klubeve në futboll. Gjatë në kujtesë e shtuna e 21 dhjetorit do të mbetet edhe për Leon Dajakun. 18-vjeçari debutoi për gjigantin gjerman të futbollit, Bayern Muenchen.

Si Shaqiri ashtu edhe Dajaku kishin rol të vogël në skuadrat e tyre. Por prekën nivele të reja në karrierë. Shaqiri, futbollisti bindshëm më i suksesshëm shqiptar, është po ashtu bindshëm më i njohuri prej shqiptarëve që ka luajtur për Bayern Muenchenin, skuadra aktuale e Leon Dajakut. Për Bayernin kanë luajtur edhe dy futbollistë tjerë shqiptarë, por fati i tyre dallon shumë me atë të Shaqirit, shkruan sot Koha Ditore.

Karriera e Dajakut është zhvilluar vrullshëm deri më tani. Ai është zhvilluar te Stuttgarti, pasi fillimisht ishte në disa skuadra të vogla. Në mes të korrikut të këtij viti kaloi te Bayern Muencheni dhe firmosi për katër vjet. Ishte investim i Bayernit për të ardhmen, por Dajaku, me prejardhje nga Drenica, shpejt kaloi shkallë. Në gusht e luajti një ndeshje me ekipin U-19 të Bayernit, ndërsa shënoi një gol dhe asistoi një tjetër gol. Ndërkohë menjëherë më 20 korrik kishte nisur të luante me ekipin e dytë të Bayernit në kategorinë e tretë gjermane. Në 19 paraqitje i ka tre gola e katër asistime. Me ekipin e dytë të Bayernit luajti menjëherë të dielën, ndërsa asistoi.

Në tetor ishte rezervist në një ndeshje për Kupë të ekipit të parë, ndërsa më 22 nëntor u bë e ditur se trajneri Hansi Flick ka ftuar për stërvitje në ekipin e parë katër lojtarë të rinj, duke përfshirë Dajakun. Më 2 nëntor dhe më 18 dhjetor ishte në stol në ndeshje të Bundesligës. Të shtunën debutoi në fitoren 2:0 ndaj Wolfsburgut, në kuadër të xhiros së 17-të të Bundesligës gjermane. U aktivizua në minutën e 91-të në vend të Serge Gnabryt.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)