Sport

Sociedadi fton në stadium banorët e fshatit pasi ua turpëroi ekipin

Descriptive Text

Vetëm një ditë pasi e poshtëroi në kuadër të Kupës së Spanjës, Real Sociedadi është munduar t’ia zbusë dhimbjen ekipit të kategorisë së katërt, Becerril. Skuadra e Sociedadit, të enjten mbrëma, triumfoi në udhëtim ndaj CD Becerrilit, me rezultatin e thellë 8:0, ndeshje në të cilën Adnan Januzaj realizoi “hat-trick”.

Por shumë më i butë Sociedadi është treguar jashtë fushës.

Mediumet spanjolle kanë raportuar të premten se Sociedadi i ka bërë ftesë jo vetëm stafit të ekipit CD Becerril, por të gjithë banorëve të fshatit prej nga është skuadra e kategorisë së katërt për të qenë mysafirë në ndonjërën prej ndeshjeve të këtij edicioni, që do ta luajnë në shtëpi në kuadër të La Ligas, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.

Këtë veprim, Sociedadi e ka bërë pasi është duartrokitur nga lojtarët dhe tifozët e Becerrilit, me gjithë fitoren e thellë.

“Pas ndeshjes na erdhi keq për rezultatin e thellë, pasi në njëfarë mënyre i poshtëruam dhe për të zbutur sadopak këtë mërzi, ne i kemi ftuar të gjithë si mysafirë nderi në njërën nga ndeshjet që i luajmë në shtëpi në kuadër të kampionatit të Spanjës”, është shprehur presidenti i Sociedadit, Jokin Aperribay.

Sociedadi, që është i gjashti në La Liga, do të paguajë biletat, darkën dhe udhëtimin treorësh nga provinca Becerril de Campos, që ka rreth një mijë banorë. Sociedadi ua ka lënë mundësinë e zgjedhjes së ndeshjes për ata që duan ta shikojnë nga afër në stadiumin “Anoeta” me kapacitet prej 39.500 ulësesh.

Te CD Becerill e kanë mirëpritur ftesën e ekipit nga La Liga dhe kanë deklaruar se janë të nderuar për zemërgjerësinë që ka treguar Real Sociedadi.

“Ndeshja ishte një festival i vërtetë i futbollit dhe ne jemi shumë mirënjohës për mënyrën se si u trajtuam nga Real Sociedadi pas ndeshjes dhe mënyrën se si na ngushëlluan pas goditjes që morëm ku pësuam tetë gola”, tha presidenti i klubit Juan Antonio Redondo për gazetën spanjolle “Marca”. “Ne do të hedhim një vështrim në kalendarin tonë dhe sa më shpejt që të mundemi të gjithë do të jemi të kënaqur që të shkojmë në San Sebastian për ta përkrahur Sociedadin në njërën prej ndeshjeve kampionale”.