Sport

Sanches te Lille po e kthen formën e dikurshme

Descriptive Text

Në kohën kur mbrojtësi kundërshtar Arnaud Souquet e kuptoi atë që kishte ndodhur, Renato Sanches tashmë e kishte kaluar atë.

Një moment i aftësive marramendëse nga Sanches gjatë fitores së fundit të skuadrës Lille në shtëpi sinjalizoi rikthimin në formë, pas një periudhe zhgënjyese që nga ngritja e tij spektakulare në Kampionatin Evropian të vitit 2016, shkruan AP, transmeton Koha Ditore.

Tifozët që pyesnin se “çfarë ka ndodhur me Renato Sanchesin?, tash mund të shikojnë ligën franceze për të zbuluar se kush është në të vërtetë mesfushori portugez. Por, nëse do të shikojnë momentin e magjisë të së premtes së shkuar kundër Montpellierit, ata do të binden se Sanches është një lojtar i ringjallur që sërish ka kthyer besimin dhe guximin që e karakterizoi para tre vjetësh.

Në atë aksion Sanches në fakt e “trullosi” mbrojtësin Souqet që u bllokua tërësisht dhe shkoi në anën e gabuar për t’ia liruar Sanchesit krahun tjetër që të kalojë me qetësi. Kjo ishte vetëm njëra prej aftësive që më përpara e kishte përdorur ish-mesfushori i Brazilit, Ronaldinho. Vetë Sanches dëshmoi se është njëri prej lojtarëve të paktë që mund të bëjë të duket se e ka të ngjitur topin në këmbë. Pas këtij veprimi Sanches shënoi edhe golin e fitores, me një aftësi tjetër të mirë, kur shmangu dy mbrojtës për ta mposhtur portierin me gjuajtje të fuqishme.

“Kam pritur kohë shumë të gjatë për këtë gol”, ishin fjalët e Sanchesit 22-vjeçar pas ndeshjes.

Kjo deklaratë e tij është plotësisht e kuptueshme, pasi ky ishte vetëm goli i pestë në karrierën e tij si profesionist. Çuditërisht ky numër i golave është shumë i ulët duke pasur parasysh nivelin e aftësive të Sanchesit.

Adhuruesit e futbollit patën vënë re Sanchesin gjatë triumfit të papritur të Përfaqësueses së Portugalisë në “Euro 2016”, turne në të cilin ai u shpall lojtari më i mirë i ri. Aftësitë e tij teknike dhe shpejtësia që e tregoi në evropian, bindën Bayern Muenchenin që të paguante një dëmshpërblim prej 35 milionë eurosh për ta transferuar nga Benfica. Atëbotë, Bayerni krenohej se kishte siguruar njërin “nga lojtarët më të talentuar të Evropës”, duke mposhtur konkurrencën e fortë të skuadrave tjera të mëdha që Evropës që gjithashtu kishin insistuar për transferimin e tij.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)