Sport

Sadiku çon Luganon në Europë, largon nga liga ish-skuadrën

Descriptive Text

Tani janë 9 gola në vetëm 14 ndeshje. Falë Armando Sadikut , Lugano hipotekon Europën.

Sulmuesi shqiptar nuk përmbahet më në kampionatin zviceran duke realizuar një tjetër gol me peshë që e ngjiti skuadrën e Paolo Trammezannit në vendin e 3-të, në kuotën e 50 pikëve.

9 gola në më pak se dy faza kampionat, nëse Sadiku do të ishte bërë pjesë e Luganos që në fillim të sezonit me këtë ritëm shënimi, me siguri që ai do të kryesonte edhe listën e golashënuesve në Superligën zvicerane, pasi francezi Horaou i Young Boys ka realizuar vetëm 18 gola në total gjatë gjithë kampionatit.

Sadiku këtë herë ndëshkoi ish-skuadrën e tij Vaduzin, me një gol që e rrëzoi nga kategoria ekipin nga Lihtenshtejni. Nëse një vit më parë ishte 25-vjeçari nga Elbasani ai që me golat shpëtoi Vaduzin, në vetëm pak kohë, sulmuesi shqiptar e çoi nga parajsa në ferr skuadrën nga Lihtenshtejni.

Në minutën e 16-të, Sadiku i shërbyer nga Mihajloviq, u zhyt me kokë duke realizuar një gol të bukur që i hapi rrugën fitores së Luganos. Në fillimin e pjesës së dytë me një predhë nga distanca, bomberi shqiptar i cili po kalon një moment të shkëlqyer forme, vuri në vështirësi serioze portierin mik.

Golin e avantazhit të dyfishtë për Luganon e realizoi Mariani ndërsa Borgmann në fund ja bëri më pak të dhimbshme humbjen Vaduzit. Me këtë sukses Lugano, Paolo Tramezzani, Ezgjan Alioski dhe mbi të gjitha Armando Sadiku siguruan edhe matematikisht, kualifikimin në Europa League, transmeton Supersport.

Në 2 javët e mbetura objektivi i Luganos do të jetë ta mbyllë sezonin në vendin e 3-të, për të kualifikuar direkt në fazën e grupeve të Europa League. Me ndeshjen ndaj Izraelit që po afron forma e shkëlqyer e Sadikut është një lajm shumë i mirë për trajnerin e Shqipërisë, Gianni De Biasi.

 


Armando Sadiku Goal HD - Lugano 1 - 0 Vaduz... by worldfoot