Sport

Distria mbyll suksesshëm vitin e vështirë

Një vit të suksesshëm e të vështirë Distria Krasniqi po e përfundon në nivel shumë të lartë. Ajo tash është xhudistja kosovare e ranguar më së larti në ranglistën botërore. Për më tepër, është e para në ranglistën olimpike në kategorinë e saj, atë deri 48 kilogramë.

Mbajtja e peshës për të garuar në kategorinë deri 48 kilogramë ka qenë vështirësia kryesore e Distrisë gjatë vitit 2019, njëjtë si në vitet e kaluara. Ajo ia ka dalë në shumicën e kohës, por ka humbur një garë të rëndësishme pasi ka peshuar pak më tepër se 48 kilogramë. Me gjithë këtë vështirësi, Distria po i afrohet fundit të vitit më të suksesshëm në karrierën e saj. Medalja në kampionatin botëror për seniorë e bën 2019-n vitin më të suksesshëm në karrierën e 24-vjeçares, shkruan sot Koha Ditore.

Distria Krasniqi javën e kaluar fitoi medaljen e artë në turneun Masters të mbajtur në Qingdao të Kinës. Është ky turne me peshë të madhe në xhudo, ku të drejtën e paraqitjes e kanë vetëm 36 më të ranguarit nëpër kategori. Suksesi në Masters, që ofron shumë pikë në renditje, ia ka mundësuar Distrisë që të përparojë shumë në të. Në fund të gushtit ajo fitoi medaljen e bronztë në Botërorin e seniorëve të mbajtur në Tokio.

Në korrik fitoi medaljen e argjendtë në turneun Grand Prix në Budapest, ndërsa në prill ishte e artë në Grand Prix në Antalya. Në Grand Slamin e famshëm të Parisit, në shkurt, Distria fitoi medaljen e argjendtë. Suksesit të madh në vitin 2019 i parapriu medalja e artë në Mastersin e vitit të kaluar, të mbajtur në Guangzhou të Kinës para një viti. Dhe Distria shpreson se e arta në Qingdao, javën e kaluar, do t’i paraprijë një 2020-e me plot suksese.

“2019-a është viti më i suksesshëm në karrierën time. Kam fituar për herë të parë medalje në kampionat botëror për seniorë dhe ai sukses e bën 2019-n të veçantë. Këtë vit i kam arritur pritshmëritë që kisha, sidomos me fitimin e shumë pikëve për renditje olimpike”, ka thënë Krasniqi të martën në një bisedë për gazetën.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)