Sport

Serie A kërkon falje për posterët me majmunë në kampanjën anti-racizëm

Kreu i Serisë A, Luigi De Siervo, ka kërkuar falje për përfshirjen e majmunëve në kampanjën e ligës për të luftuar racizmin.

Lega Serie A lansoi një kampanjë kundër diskriminimit të hënën, por zgjedhja e disa punimeve zgjoi reagime të ashpra brenda dhe jashtë Italisë.

Kjo u përcoll me artistin Simone Fugazzotto që mbrojti krijimet e tij, tre majmunë me fytyra të ngjyrosura. Tani megjithatë De Siervo ka pranuar se s’ka qenë zgjedhja e duhur.

“U kërkoj falje të gjithë atyre që janë ndier të fyer nga puna e bërë prej Simone Fugazzottos. Pavarësisht se artisti shpjegoi se kuptimi i krijimit të tij ishte mesazh kundër racizmit, puna është vënë në pikëpyetje nga shumë njerëz. Ajo që s’duhet të vihet në dilemë është dënimi i fuqishëm dhe i vazhdueshëm nga Lega Serie A kundër çdo lloj diskriminimi dhe racizmi, për çka jemi të vendosur ta zhdukim nga liga jonë”, ka deklaruar ai, raporton “Football-Italia”.