Sport

Hamilton dëshiron të dëshmohet karshi gjeneratës së re të Formula 1

Foto: Reuters

Lewis Hamilton thotë se e sheh vitin 2020 si një fillim të freskët dhe një mundësi tjetër për të dëshmuar veten ndaj gjeneratës së re të pilotëve të Formula 1.

Piloti i “Mercedesit” fitoi titullin e gjashtë të kampionit në Formula 1 në vitin 2019 dhe me një titull të fituar vitin e ardhshëm do të barazojë rekordin e Michael Schumacherit prej shtatë titujve të fituar, shkruan sot Koha Ditore.

Hamiltoni ka thënë se duket “joreale” që përmendet në lidhje me gjermanin.

“Çdo vit është një fillim i ri i freskët për të gjithë, një mundësi e re për t’u dëshmuar”, ka thënë Hamilton.

Britaniku 34-vjeçar ka përfunduar i dyti në zgjedhjet e personalitetit sportiv të vitit nga BBC-ja, prapa lojtarit të kriketit Ben Stokes.
“E di, sinqerisht, unë kurrë nuk i kam shikuar rekordet. Nuk e di vërtet pse. Thjesht, e mbaj në mend duke u rritur në Stevenage dhe duke shikuar Michael Schumacherin derisa fitonte titujt e botës, kështu që më duket shumë joreale edhe këtë ditë që emri im përmendet në kontekstin e njëjtë me të. Është një nder i madh dhe një gjë për të cilën familja ime është shumë krenare. Unë jam i inspiruar nga aq shumë njerëz që janë në Britani. Nëse është një fëmijë apo edhe një i rritur, që sheh se çfarë bëj dhe e ndihmon të kalojë vijën, atëherë do të më bëjë shumë të lumtur”, ka deklaruar Hamilton.

Hamiltoni fitoi 11 nga 21 garat këtë vit, për të siguruar titullin e kampionit të Formula 1. Ai ka thënë se ishte një vit i jashtëzakonshëm.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)