Sport

KOK-u sot shënon 5-vjetorin e anëtarësimit në KON

Komiteti Olimpik i Kosovës do të shënojë sot ditën më historike të sportit të Kosovës, e cila theu izolimin shumëvjeçarë të sportit.

9 dhjetori I 2014-s do të mbetet përherë në histori të sportit të Kosovës, datë kjo që shënoi anëtarësimit të Komitetit Olimpik të Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Me këtë rast, KOK organizon gala mbrëmjen me rastin e 5-vjetorit të anëtarësimit të KOK-ut në KON.

Për ta nderuar KOK-un, në këtë ditë të veçantë, sot në Kosovë do të arrijnë presidentë të shumtë të Komiteteve Olimpike Kombëtare.

Në gala mbrëmje të pranishëm do të jenë: Krisztian Kulcsar, president i Komitetit Olimpik të Hungarisë, Mihail Claudio Covaliu, president i KO të Rumanisë, Bogdan Gabrovec, president i KO të Sllovenisë, Vasil Tupurkovski, president i KO të Maqedonisë së Veriut, Dusan Simonoviq, president i KO të Malit të Zi dhe Viron Bezhani, president i KO të Shqipërisë.

Një mysafir tjetër i lartë edhe Emanuel Macedo de Medeiros, president i Aleancës Globale të Integritetit Sportiv (SIGA) i shoqëruar nga Clare Disdale.

Krahas tyre, të pranishëm do të jenë edhe figurat më të larta politike të vendit, si dhe ato nga sporti, arti e kultura.

KOK u anëtarësua në KON në sesionin e 127-të të mbajtur në Monako, anëtarësim ky që iu kishte hapur më pas rrugën federatave sportive në vend për t’u anëtarësuar në federatat përkatëse ndërkombëtare.

Në këto pesë vjet, KOK-u ka fituar 11 medalje, prej tyre gjashtë të arta, dy të argjendta dhe tri të bronzta në lojërat e ndryshme ndërkombëtare, ndërsa veçohet medalja e artë olimpike e Majlinda Kelmendit, e cila bëri që Kosova të hyjë në mesin e 100 shteteve me medalje të artë olimpike.