Sport

Stuckey, lideri i skuadrës së fundosur

Prishtinë, dhjetor – Plejmejkerit amerikan DeMarkus Stuckeyt i kanë mjaftuar katër ndeshjet e para në Superligën e Kosovës në basketboll për të dëshmuar vlerat që ka si cilësor, shkruan sot Koha Ditore.

Ai në basketbollin e Kosovës debutoi në ndeshjen ndaj Golden Eagle Yllit në kuadër të xhiros së dytë me 36 pikë. Vazhdoi me 40 pikë të shënuara ndaj Rahovecit, 41 të tjera kundër Ponte Prizrenit dhe 38 në përballje me Pejën, për t’u konfirmuar si lider te skuadra e Lipjanit.

Stuckey, pas 14 xhirove të zhvilluara të edicionit, është bindshëm lojtari më i mirë sa u përket pikëve të shënuara. Ai prin në listën e koshashënuesve me mesatare prej 30.7 pikëve për ndeshje, kurse për asistime është i dyti me 7.1 për ndeshje. Kur i sheh këto lista, Stuckey ndihet krenar, por në momentin që shikon tabelën e Superligës, atij i prishet disponimi.

Ekipi për të cilin Stuckey luan është i fundit në tabelë dhe sipas të gjitha gjasave edicionin e ardhshëm do të garojë në një rang më të ulët. Në fakt, Lipjani është ekipi i vetëm këtë edicion që nuk di për fitore, ka regjistruar 13 humbje në po aq ndeshje.

Lipjani edicionin e shkuar debutoi në elitën e basketbollit kosovar dhe arriti të mbesë edhe këtë vit në elitë, pasi fitoi në ndeshjet e plejautit. Për dallim prej këtij edicioni, Lipjani edicionin e shkuar pati katër fitore e 24 humbje gjatë pjesës së rregullt të kampionatit.

“Jam i kënaqur me paraqitjet e mia, por të gjitha këto mbesin nën hije nëse ekipi nuk shënon fitore. Unë po bëj të pamundurën ta ndihmoj ekipin për të shënuar një fitore që deri më tani nuk ka ndodhur. Nëse është nevoja do të shënoj 40 pikë apo nuk do të shënoj asnjë, vetëm që ekipi të fitojë”, thotë Stuckey në një bisedë për gazetën.

“Në secilën ndeshje mundohem të jap gjithçka nga vetja, pasi ndihem keq kur e shoh ekipin në pozitën e fundit dhe pa fitore. Nuk është lehtë, por unë nuk e kam ndërmend të dorëzohem. Do të luftoj deri në fund, pasi kam karakter të tillë”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)