Tifozit të Bocas i ndalohet të shkojë në stadium, pasi nuk e pagoi alimentacionin Foto: Getty Images

Tifozit të Bocas i ndalohet të shkojë në stadium, pasi nuk e pagoi alimentacionin

03 December 2019 20:36

Një gjykatëse në Argjentinë ia ka ndaluar një tifozi të Boca Juniorsit që të shikojë ndeshjet e klubit nga stadiumi në të ardhmen, derisa nuk paguan detyrimet që i ka ndaj ish-bashkëshortes në emër të përkrahjes së fëmijës së tyre, raportoi agjencia Reuters.

“I akuzuari Hugo Federico Suarez e ka të ndaluar t’i shikojë ndeshjet e futbollit të Boca Juniorsit dhe të vizitojë klubin derisa të mos i kryejë të gjitha detyrimet që ka për kujdes të fëmijës”, është thënë në komunikatën nga gjykata, transmeton Koha Ditore. Suarez ka qenë prapa me pagesa për një vit dhe ish-bashkëshortja e ka dërguar atë në gjykatë në Salta.

Gjykatësja Sylvina Carrer ka thënë se ka marrë hapin e pazakontë, pasi ka parë se Suarez nuk ka të hyra fikse, por vetëm një koleksion të madh të fanellave të Boca Juniorsit dhe gjërave të tjera të klubit. Atij, po ashtu, i është ndaluar të shkojë në koncerte të këngëtarit kilian Mon Laferte.

Suarez kishte blerë biletat e aeroplanit për të shkuar në Buenos Aires për të parë performancën e këngëtarit. “Është hera e parë që kemi bërë diçka të tillë, por është një mjet për njerëzit që duket se janë të pavetëdijshëm se fëmija vjen së pari e pastaj gjërat e tjera”, ka thënë Carrer.

© KOHA

Komentet

Shto koment

Të ngjashme