Sport

Bunjakut assesi t’i mbarojë shkëlqimi

Descriptive Text

Në fazën përfundimtare të karrierës, një prej sulmuesve më të mirë që ka pasur Kosova, Albert Bunjaku, e ka vënë përvojën e tij të madhe në shërbim të skuadrës Viktoria Koeln. Viktoria garon në Ligën e Tretë të Gjermanisë, ndërsa Bunjaku po shkëlqen këtë edicion.

Bunjaku të premten ka mbushur 36 vjet. Ai në 16 ndeshje kampionale ka realizuar 12 gola. Është golashënuesi më i mirë i kategorisë së tretë gjermane. Ka edhe dy asistime.

Bunjaku ka dhënë kontributin e tij në ndërtimin e përfaqësueses së Kosovës. Pasi FIFA dha leje për miqësore të Kosovës, në fillim të vitit 2014, Bunjaku iu përgjigj ftesës së përzgjedhësit Albert Bunjaki dhe ishte në formacionin bazë në miqësoren ndaj Haitit. Ka shënuar golin e parë të Kosovës, në ndeshjet të cilësuara si zyrtare, në humbjen 6:1 nga Turqia, më 21 maj të vitit 2014. Katër ditë më vonë kishte shënuar edhe në humbjen 3:1 ndaj Senegalit. Realizoi më pas edhe në fitoren 2:0 ndaj Ishujve Faroe të luajtur më 3 qershor të vitit 2016, pak ditë pas pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA, shkruan sot Koha Ditore.

Ai kishte luajtur edhe në ndeshjet e para garuese të Kosovës, me Finlandën e Kroacinë, por më pas mbeti në stol. Nuk vonoi shumë dhe sulmuesi njoftoi se nuk do të grumbullohej më me Kosovën.

Para se të luante me Kosovën, Bunjaku kishte bërë karrierë te Zvicra. Për Zvicrën ka luajtur gjashtë ndeshje në vitet 2009 e 2010. Ishte paraqitur në tri miqësore e më pas ishte përfshirë në ekipin “helvetik” për botërorin e vitit 2010. Është prej pak futbollistëve shqiptarë që kanë luajtur në Botëror. Kishte kaluar 13 minuta në fushë në ndeshjen ndaj Kilit, më 21 qershor të vitit 2010. Pas Botërorit luajti edhe në dy miqësore dhe më nuk është ftuar nga Zvicra.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)