Sport

Napoli kërkon Rrahmanin

Napoli ka shprehur interesim për shërbimet e qendërmbrojtësit Amir Rrahmani, i cili këtë edicion po shkëlqen në Serie A, te Verona.

Lajmi është bërë i ditur të martën nga “Gazzetta dello Sport”. Sipas gazetës, Napoli po synon transferimin e Rrahmanit gjatë afatit kalimtar të janarit, shkruan Koha Ditore. Napoli tashmë ka nisur negociatat me Veronën, ekip që ka kontratë me Rrahmanin deri në vitin 2023.

25-vjeçari para fillimit të këtij edicioni u transferua te Verona nga Dinamo e Zagrebit për 2.1 milionë euro dëmshpërblim.

Kapiteni i Kosovës, Rrahmani, ka treguar formë të mirë dhe është ndër lojtarët më të rëndësishëm te Verona, që është kthyer këtë edicion në elitën e futbollit italian. Ai deri më tash ka 14 paraqitje për Veronën në të gjitha garat dhe është titullar i padiskutueshëm.

Më herët, interesim për Rrahmanin ka treguar edhe ekipi tjetër nga Serie A, Lazio.