Sport

Tifogrupet kosovare mobilizohen për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë

Shumë tifozë të klubeve shqiptare janë mobilizuar për t’i dalë në ndihmë Shqipërisë pas tërmetit që e ka goditur vendin.

Tashmë janë konfirmuar 20 viktima, e mbi 600 të tjerë janë lënduar.

Tifogrupet “Plisat”, “Ujqit”, “Arpagjikët”, “Intelektualët”, “Torcida”, “Vreshtarët” e të tjera janë organizuar për të mbledhur ndihma për qytetarët në Shqipëri.

Mobilizimi në ndihmë vëllezërve e motrave në Shqipëri, po merr përmasa të mëdha kudo në Kosovë.

Dhjetëra të rinj të tifozerisë së qytetit, "Ujqit" e grupe të tjera qytetare janë mbledhur sonte në sheshin para Komunës së Ferizajt me qëllim grumbullimin e veshmbathjeve dhe ushqimeve në ndihmë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë që këtë mëngjes u goditën nga tërmeti shkatërrimtar.

Të bashkuar rreth këtij qëllimi solidar, përfaqësuesit e tifozerisë "Ujqit" thanë se me këtë nismë sadopak synojnë të ndihmojnë rimëkëmbjen pas shkatërrimeve të evidentuara sot nga tërmeti që epiqendër pati Durrësin dhe zona tjera përreth, që për fatin e keq, pati edhe viktima e dëme materiale.

Për t'i garantuar mbështetjen e tij dhe qeverisjes lokale në këtë nismë solidare, doli edhe kryetari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunalë, i cili i siguroi këtij komuniteti dhe gjithë nismave të tilla komunitare, mbështetjen e pakursyer në ndihmë Republikës së Shqipërisë nga dëmet e tërmetit.

Nga kjo nismë kërkohet nga qytetarët e Ferizajt që të sjellin veshmbathje e ushqime që sadopak do të ndikonin në përballimin më të lehtë të gjithë kësaj situate.