Sport

Hendoll, dy fitore e një humbje për Kosovën në Turqi

Dy fitore e një humbje është bilanci i përfaqësueses së Kosovës në hendboll në dy ditët e para të saj në turneun ndërkombëtar që po mbahet në Antalya të Turqisë.

Të shtunën në mëngjes, hendbollistet kosovare fituan ndaj Italisë me shifrat 31:26, në ndeshjen e tyre të parë në qytetin bregdetar turk. E pandalshme ishte kapitenia Leonora Demaj, që realizoi plot 11 gola. Mirela Gjikokaj ndihmoi me tetë gola në fitoren e Kosovës.

Po të shtunën në mbrëmje Kosova u përball me Turqinë B, ndërsa fitoi me shifrat 32:23. Përfaqësuesja në këtë ndeshje luajti me përbërje të kombinuar, ndërsa përzgjedhësi Agron Shabani ua dha rastin të gjitha lojtareve, shkruan Koha Ditore. Prapë më efikasja ishte Demaj me 10 gola, kurse Gjikokaj i shënoi pesë gola. Demaj luan në Danimarkë e Gjikokaj në Norvegji.

Të dielën mbrëma Kosova e luajti ndeshjen me përfaqësuesen A të Turqisë. Pësoi me shifrat 34:28, por Federata e Hendbollit e Kosovës ka vlerësuar se disfata ishte pasojë e favorizimit që arbitrat turq ia kanë bërë përfaqësueses turke. Kapitenia Demaj ishte sërish e pandalshme, duke realizuar plot 14 gola. Të hënën (sot), Kosova e luan ndeshjen e fundit. Takohet me Maqedoninë Veriore, ndërsa synim mbetet fitorja.

Përzgjedhësi Agron Shabani është ndarë i kënaqur me paraqitjen e lojtareve të tij në tri ndeshjet e deritashme.

“Jemi me mungesa të rëndësishme, por megjithatë jemi paraqitur shumë mirë. Kemi dëshmuar se e ardhmja është e ndritur. Pos lojtareve që janë me përfaqësuese kohë më të gjatë, në këtë turne për herë të parë kanë luajtur motrat Arlinda e Marigona Hajdari, Mirjeta Bytyqi dhe disa lojtare të klubeve të vendit. Sidomos motrat Hajdari do të jenë përforcim i madh për ne në të ardhmen, por e njëjta vlen edhe për Bytyqin. Tani na mbetet ndeshja me Maqedoninë Veriore. Shpresojmë për fitore dhe kështu ta mbyllim si duhet këtë turne”, ka thënë Shabani.

Kosova në Antalya po paraqitet pa Albana Arifin, Dorentina Osmanin, Elma Kamerin, Fitore Aliun, Ardiana Merditajn e disa lojtare të tjera.