Sport

Donçiq arrin “triple-double” për 26 minuta lojë

Në pjesën e përparme të fanellës shkruante “San Francisco” dhe emrat në shpinë nuk ishin të njëjtë si të atyre lojtarëve të Golden State Warriors, që arritën në finale të NBA-së në pesë stinorët e fundit.

Dallas Mavericks shfrytëzoi në maksimum këtë.

Luka Donçiq realizoi 33 nga 35 pikët e tij në pjesën e parë dhe pati një dyshifror të trefishtë tjetër, ndërsa Dallasi triumfoi të mërkurën mbrëma ndaj Golden Statet me plot 48 pikë dallim, 142:94, shkruan sot Koha Ditore.

Donçiq dështoi për një pikë që të barazonte rekordin e Dallasit për pikë të shënuara në një pjesëlojë, që e kishte arritur Dirk Nowitzki më 3 nëntor të vitit 2009 kundër Utah Jazz. Donçiq realizoi 10 nga 11 gjuajtjet nga loja, gjashtë nga shtatë tentimet për tri pikë dhe po ashtu shënoi shtatë nga tetë gjuajtjet e lira.

Ylli slloven po vinte nga “triple-double” me 40 pikë që kishte arritur të hënën. Me skuadrën e tij në formë, Donçiq luajti vetëm 26 minuta në përgjithësi, ndërsa pos 35 pikëve, pati edhe 10 kërcime e 11 asistime. Ai kryeson në NBA këtë stinor me shtatë dyshifrorë të trefishtë në 14 ndeshje. Po ashtu, është bërë më i riu në histori të NBA-së që ka shënuar dyshifrorë të trefishtë në dy ndeshje rresht. Ka thyer rekordin e Oscar Robertsonit.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)