Sport

Vardy bëhet sërish makth për mbrojtësit e Premier Leagues

Disa orë pasi u emërua kryetrajner i Leicester Cityt, Brendan Rodgers, po ecte nëpër zhveshtoren në “King Power Stadium” dhe po prezantohej me lojtarët e rinj. Nga fundi arriti te Jamie Vardy.

“Unë ia shtrëngova dorën dhe i thashë: ‘Jam i lumtur që je këtu’”, rikujton Rodgers takimin e tij të parë me lojtarin e profilit më të lartë në skuadrën e tij, shkruan sot Koha Ditore.

Nëntë muaj më vonë Vardy me gjasë do të ketë mendimin e njëjtë për trajnerin e tij.

Sulmuesi që ka lulëzuar me vonesë, që kishte filluar të luante në fushat e baltosura në rangje amatore dhe u bë një nga golashënuesit më të spikatur anglezë, është në formën e tij më të lartë qëkur realizoi rekord me shënim të golave në 11 ndeshje rresht, nga gushti deri në nëntor të vitit 2015. Ishte stinor historik për Leicester Cityn, pasi e fitoi Premier Leaguen.

Vardy ka shënuar në katër ndeshje rresht – duke realizuar gjashtë gola gjatë kësaj serie – për t’u ngritur në krye të listës së shënuesve në Premier League me 11 gola në 12 ndeshje. Qëkur Rodgers e ka marrë drejtimin e skuadrës në fund të shkurtit, Vardy ka realizuar 21 gola në 23 ndeshje në ligë, më shumë se çdo lojtar tjetër në këtë periudhë.

Ai po shënon kundër skuadrave të mëdha dhe po ashtu më të dobëta. Po realizon nga afërsia, me parabola nga 30 metra, me gjuajtje me të majtën e me të djathtën. Po shënon “hat-trick” dhe dygolësha. Ai po ngacmon tifozët kundërshtarë me festimet e tij të golave, duke kapur veshin si te rasti i Sheffield Unitedit apo duke bërë sikur fluturon si zog në ndeshje kundër Crystal Palacet, një skuadër që ka nofkën “Shqiponjat”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)