Sport

Challandes: Duhet të kemi kujdes nga Elif Elmas

Descriptive Text

Duhet të jemi të lumtur me paraqitjet mbresëlënëse në kampanjën e kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2020, ku pësuam tri humbje, ka deklaruar përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, në një intervistë dhënë Sportit në KTV.

Përzgjedhësi zviceran të martën ka qenë i pranishëm në stadium, në ndeshjen kualifikuese Maqedonia Veriore - Izraeli, e zhvilluar në Shkup të martën mbrëma.

Në atë takim, me rezultat minimal fitoi kundërshtari ynë i muajit mars.

“Tani mund të shpresojmë me Ligën e Kombeve. Kam qenë në Shkup të martën dhe nuk mund të bëj një vlerësim të mirë për këtë ndeshje. Mund të them se Maqedonia e Veriut ka ekip të mirë, me futbollistë të mirë. Kemi parë në atë kontingjent lojtarë të cilët luajnë në top-5 ligat evropiane. Kjo do të thotë se është ekip i mirë. Do të jetë ndeshje e vështirë, por do të jetë e mundur të fitojmë”, ka thënë Challandes për Sportin në KTV.

Zviceranit 68-vjeçar, që Kosovën e ka drejtuar në 19 ndeshje që prejse e mori drejtimin e “Dardanëve”, me 11 fitore, 5 barazime e tri disfata, ia ka marrë vëmendjen një 20-vjeçar, futbollist i Napolit.

“Gjasat do të jenë 50/50. Do të luajmë në këtë ndeshje me kualitetet tona dhe mendoj se është e mundshme të arrijmë kualifikimin, kualifikimin e parë, të fitojmë në gjysmëfinale e më pas është një tregim tjetër, kundër Gjeorgjisë apo Bjellorusisë. Maqedonia e Veriut ka lojtarë të mirë. Më ka rënë në sy lojtari i ri i Napolit, Elif Elmas. Është lojtar interesant, por aty ka edhe shumë lojtarë tjerë shumë të mirë”, është shprehur përzgjedhësi i Kosovës.

Megjithatë, me rikthimin e futbollistëve të lënduar si Arbër Zeneli, Vedat Muriqi, Hekuran Kryeziu e Herolind Shala, do të jetë më e lehtë, thotë përzgjedhësi Challandes. Sidoqoftë, ai shpreson që edhe pas rikthimit në fushë, këta futbollistë të kenë disa ndeshje të zhvilluara, para takimeve të Play-Offit në Ligën e Kombeve.

“Nëse flasim për Ligën e Kombeve, shpresojmë se lojtarët që janë të lënduar mund të jenë me ekip. Shpresojmë se Arbër Zeneli do të kthehet pas operimit. Rehabilitimi po i shkon mirë. Megjithatë, do të shohim se çfarë do të vijë në muajt e ardhshëm. Shpresoj se ata do të luajnë ndeshje me ekipet e tyre para ndeshjeve kualifikuese në muajin mars. Për lojtarët tjerë, Muriqi, Shala, Kryeziu dhe për lojtarët tjerë janë lëndime normale dhe shpresoj se do të mund t’i kemi të gjithë lojtarët e gatshëm”, tregoi Challandes, për Sportin në KTV.

Tutje, zvicerani foli edhe për debutuesin në ndeshje zyrtare kualifikuese me Kosovën, Ibrahim Dresheviq, për të cilin tha se ka cilësi dhe ka mbetur i kënaqur me lojën që e tregoi ndaj Anglisë, përveç një gabimi që e bëri në fund. Ai nënvizoi se Kosova ndaj anglezëve luajti mirë për 80 minuta, por lodhja dhe mosorganizimi më pas ndikuan në humbje.

“Ibrahim Dresheviq, si fillim me ne në ndeshjen e parë, ka bërë gabim në fundin e ndeshjes, por mendoj se është lojtar interesant për të ardhmen. Ai mund të luajë në pozitën para mbrojtësve, ose mund të luajë si qendërmbrojtës. Ai i ka luajtur të gjitha ndeshjet në Eredivisie në Holandë. Shumë lojë të mira ka pasur si qendërmbrojtës dhe jam shumë i lumtur me sjelljen e tij”, përfundoi ai.

Challandes ritheksoi se kushdo që ka kualitete dhe mendon se mund ta ndihmojë Kosovën në futboll, e ka derën e hapur dhe mund të vijë.

Bëri të ditur se po i përcjell disa futbollistë, pa përmendur ndonjë emër, dhe përfundoi duke deklaruar se e gjithë Kosova duhet të jetë krenare për ekipin tonë të futbollit.