Sport

Peja pësoi humbjen e parë në Ligën Ballkanike

Descriptive Text

Klubi i basketbollit Peja, e ka pësuar disfatën e parë në Ligën Ballkanike sivjet, pasi u mposht nga bullgarët e Academic Bultex-it, 98:87.

Që të dyja ekipet të enjten në mbrëmje, në takimin e zhvilluar në palestrën “Karagaç” në Pejë, vinin si të pamposhtura.

Në fakt, ky ishte dueli i tretë i Pejës në shtëpi, por që nuk arriti ta mbajë formën e përkryer në fillim të këtij edicioni, në këtë garë ndërkombëtare.

Pejanët, që në dy ndeshjet e para cilësoheshin si ekip me mbrojtje shumë agresive, në çerekun e parë u treguan kundërshtar i denjë për bullgarët, por 10-minutëshin e parë e humbën me dy pikë disavantazh, 26:24.

E shkëputjen e madhe, skuadra vizitore nga Bullgaria e bëri në dy çerekët pasues. 21 pikë disavantazh pejanët hynë në fillim të 10-minutëshit të fundit. Edhe pse periudhën e fundit e fituan me 10 pikë epërsi, 27:17, nuk ishte e mjaftueshme për të marrë fitoren dhe takimi u mbyll 98:87.

Vetëm tre basketbollistë te “Verdhezinjtë” realizuan pikë dyshifrore. Henrik Sirko ishte më i dalluari me dyshifror të dyfishtë prej 29 pikëve, 14 kërcimeve e gjashtë asistimeve. Double-double bëri edhe Drilon Hajrizi me 25 pikë, 10 kërcime e 2 asistime, kurse Beq Kovaçi e mbylli ndeshjen me 15 pikë, 6 kërcime e 2 asistime.

Ndeshja e radhës për Pejën do të jetë më 11 dhjetor në udhëtim te skuadra e Rahovecit, që të mërkurën pësoi disfatë nga Vllaznia, 73:68.