Sport

Muriqi do të mungojë të paktën për gjashtë javë

Descriptive Text

Skuadra e Fenerbahçes do të jetë pa futbollistin kosovar Vedat Muriqi, të paktën për gjashtë javë, kanë raportuar të enjten mediumet turke.

Mësohet se pas kontrollimeve të fundit që i ka bërë tek ekipi turk, është konstatuar se faza e rikuperimit të Muriqit do të zgjasë më shumë sesa që ishte parashikuar, shkruan Koha Ditore. Muriqi ka lënduar nyjën e këmbës në ndeshjen kampionale ndaj Kasimpasas (8 nëntor), në të cilën shënoi dy gola për fitoren e Fenerbahçes 3:2.

Shkaku i këtij lëndimi, Muriqi nuk arriti të ndihmojë Përfaqësuesen e Kosovës në dy ndeshjet e fundit eliminatore për “Euro 2020”, kundër Çekisë dhe Anglisë.

“Lëndimi i Vedat Muriqit ka dalë të jetë më serioz sesa është pritur dhe për këtë arsye sulmuesi 25-vjeçar, duhet të pauzojë për gjashtë javë”, ka shkruar “Milligazete” të enjten.

Muriqi para fillimit të këtij edicioni u transferua te Fenerbahçe dhe deri më tash ka shënuar shtatë gola në 11 ndeshje kampionale. Ai ka kontratë me Fenerbahçen deri në vitin 2023, kurse në Turqi karrierë ka bërë edhe te Rizespori, Gençlerbirligi e Giresunspori. Muriqi ka shënuar edhe tetë gola në 24 ndeshje me Kosovën.