Sport

Mourinho premton të mos përsërisë gabimet e kaluara te Tottenhami

Trajneri i ri i Tottenhamit, Jose Mourinho ka thënë se nuk do të bëjë gabimet e njëjta te Tottenhami siç kishte bërë në rolet e tij të kaluara si kryetrajner i skuadrave.

Portugezi Mourinho ka zëvendësuar Mauricio Pochettinon të mërkurën, duke i dhënë fund një mungese 11 mujore larg futbollit, pas shkarkimit nga Manchester Unitedi.

Mourinho e ka përshkruar veten si modest në konferencën e tij të parë për media si trajner i Tottenhamit, duke thënë se e ka kaluar periudhën jashtë futbollit duke analizuar karrierën e vet.

“E kuptova se kam bërë gabime. Nuk do të bëjë gabimet e njëjta. Do të bëjë gabime të reja, por jo të njëjtat”, ka thënë Mourinho, transmeton Koha Ditore. Mourinho, që nuk ka dashur të tregoj se për çfarë gabime po flet, ka shtuar: “Unë jam modest, mjaftueshëm modest për të tentuar dhe analizuar karrierën time, jo vetëm vitin e kaluar, por gjithë karrierën si është zhvilluar dhe problemet dhe zgjidhjet. Të mos e fajësoj askënd. Ishte gjë e madhe. Jam futur vërtetë thellë me atë analizë. Një pushim ishte vërtetë pozitiv për mua. Ishte vera e parë që nuk kam punuar dhe u ndjeva paksa i humbur në fazën para-sezonale. Unë gjithmonë kam qenë modest, sipas mënyrës sime. Problemi është se ju nuk e keni kuptuar këtë”.

Periudha e Mourinhos në krye të Manchester Unitedit përfundoi në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa klubi i tij ishte 19 pikë prapa liderit Liverpoolit.

Ai ishte raportuar se ka prishur marrëdhënien me yllin Paul Pogba dhe ishte kritikuar nga tifozët gjatë fundit të periudhës së tij për lojën e zbehtë dhe futbollin defensiv.

Ish-trajneri i Portos, Chelseat, Interit dhe Real Madridit, te Manchester Unitedi vazhdoi serinë duke mos kompletuar kurrë katër stinor rresht në një klub.

“Kur nuk fitoj nuk mund të jem i lumtur dhe këtë nuk mund ta ndryshoj. Kjo është në ADN-n time. Shpresoj të mund të ndikoj te lojtarët e mi, pasi nëse jeni të lumtur të humbisni ndeshjet e futbollit atëherë është shumë e vështirë të bëhesh fitues. Nganjëherë duhet të punosh me njerëzit që nuk i do dhe funksionon mirë. Unë kam parime që nuk mund t’i ndryshoj dhe një nga ato është se nuk besoj se mund të ndryshoj”, ka shtuar Mourinho.

Mourinho kishte shpenzuar gati 400 mijë funte në 11 lojtarë gjatë dy viteve te Manchester Unitedi, por beson se ai te Tottenhami ka trashëguar një skuadër kualitative.

“Dhurata më e mirë për mua është se nuk kam nevojë për lojtarë. Jam i lumtur me këta që i kam. Thjeshtë më duhet më tepër kohë me ta. I njoh ata shumë mirë pasi kam luajtur kundër tyre, por kurrë nuk i njeh mjaftueshëm mirë”, ka shtuar ai.

Trajneri 56-vjeçar ka marrë drejtimin e Tottenhamit që zë vendin e 14-të në Premier League dhe ka fituar vetëm tri ndeshje gjithë stinorin, përcjell Koha Ditore. Mirëpo, Mourinho, që ka fituar trofe në çdo klub që ka drejtuar, është i bindur se fati do të kthehet te klubi londinez.

“Ne nuk mund të fitojmë Premier Leaguen këtë stinor, por mund ta bëjmë stinorin e ardhshëm. Jo do ta fitojmë, por mundemi ta bëjmë”, ka thënë Mourinho.

Megjithë startin e dobët, largimi i Pochettinos të martën ka ardhur si befasi për shumë në klub, pasi vetëm gjashtë muaj më herët ai kishte dërguar skuadrën në finale të Ligës së Kampionëve.

Mourinho ka vlerësuar lartë paraardhësin e tij.

“Dua të uroj atë për punën që ka bërë. Ky klub gjithmonë do të jetë shtëpia e tij. Fusha stërvitore gjithmonë do të jetë fusha stërvitore e tij. Dyert gjithmonë do të jenë të hapura për të. Ai mund të vijë kur të dojë. Kur t’i mungojnë lojtarët, kur t’i mungojnë njerëzit met ë cilët ka punuar. Dyert janë gjithmonë të hapura për të. Ai do të gjej sërish lumturinë. Do të gjej sërish një klub të madh. Do të ketë një të ardhme të madhe”, ka thënë Mourinho.