Një prej partive që pretendon të qeverisë me vendin në vitet e ardhshme, ka paralajmëruar ndërrimin e lokacionit për stadiumin kombëtar, që tash e pesë vjet është premtuar se do të ndërtohet.
Zyrtari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka pajtim me partinë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, që stadiumi të ndërtohet aty ku fillimisht ishte paraparë, në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës. Nëse ndodh kjo, atëherë do të ishte ndërrimi i dytë i lokacionit për stadiumin që mbetet vetëm në letër, shkruan sot Koha Ditore.
Qeveria e kaluar mori vendim që stadiumit t’i ndërrohej lokacioni dhe vendosi për Korroticë të Drenasit, për çka pati shumë reagime.
“Gjatë bisedave që kemi pasur, kemi vendosur që stadiumi i Kombëtares së Kosovës të ndërtohet në Bërnicë dhe jo në Drenas”, ka thënë Abdixhiku, zyrtar i LDK-së.
Në fakt, ky stadium ka plot pesë vjet që është premtuar. Ishte premtuar në fund të vitit 2014 nga kryeministri i atëhershëm dhe tash presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Sipas premtimit, stadiumi do të duhej të ishte i përfunduar më 2018.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të mërkurën, ka reaguar për paralajmërimin e Abdixhikut, duke thënë se do të shkaktohej dëm i madh, meqë janë kryer një mori procedurash që stadiumi të nisë të ndërtohet në Korroticë të Drenasit. Sipas komunikatës së MKRS-së, tashmë ka përfunduar edhe shpronësimi i tokave...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)
-
21 nëntor 2019 09:55
-
Shpërndaje në: