Sport

Edhe Bologna në garë për Ismajlin

Foto: HNK Hajduk Split

Pas Atalantas e Sampdorias, edhe skuadra tjetër nga Serie A, Bolgona, ka shprehur interesim për shërbimet e qendërmbrojtësit të Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli, kanë raportuar të martën mediumet kroate.

Bëhet e ditur se Bologna tashmë ka nisur negociatat me Hajdukun e Splitit, pasi po kërkon transferimin e Ismajlit gjatë afatit kalimtar të janarit, shkruan Koha Ditore. “Ardian Ismajli pritet të largohet nga Hajduku në janar, pasi ekipi nga Italia, Bologna, po insiston për transferimin e tij. Ai po kërkohet edhe nga Atalanta e Sampdoria”, ka shkruar “24sata.hr”.

Kartoni i Ismajlit vlerësohet rreth një milion euro dhe ekipi italian është i gatshëm të paguajë një dëmshpërblim të tillë për kartonin e tij. Ismajli, 23-vjeçar, ka kontratë me Hajdukun deri në vitin 2022, kurse këtë edicion ka regjistruar 15 ndeshje në të gjitha garat. Ai ka edhe tetë paraqitje me Shqipërinë.