Sport

Në Holandë prokuroria hap rast pas fyerjeve ndaj futbollistit në ndeshje të rangut të dytë

Klubi holandez Den Bosch i ka kërkuar falje futbollistit të Excelsior Rotterdamit, Ahmad Mendes Moreira, pasi kishte thënë se sulmuesi ka marrë gabimisht “tingujt e korbave” duke iu dukur si fyerje raciste gjatë ndeshjes të Kategorisë së Dytë të Holandës të luajtur të dielën.

Referi largoi lojtarët nga fusha pas gjysmë ore si rezultat i fyerjeve raciste nga një sektor ku ishin tifozët vendas, transmeton Koha Ditore.

“Den Bosch e pati totalisht gabim të dielën me reagimin fillestar. Duket se kishte fyerje raciste nga tribunat”, është thënë në komunikatë të klubit të hënën.

Të dielën klubi kishte thënë se lojtarët afër tribunës në fjalë thonin se kishte rregullisht “koncert të korbave” nga tifozët vendas.

Por, të hënën, klubi doli me reagim tjetër: “Reagimi ishte gabim për të cilin klubi i kërkon falje të gjithëve, në veçanti lojtarit të Excelsiorit, Ahmad Mendes Moreira. Klubi është duke hetuar mëtutje se çfarë ka ndodhur dhe do të bëjë angazhimin maksimal për të gjetur dhe ndëshkuar ata që janë fajtor për këtë ngjarje”.

Autoritet e futbollit holandez kanë hapur hetime për incidentin, ndërsa po ashtu edhe prokurorët holandez.

Ssulmuesi anësor, 24-vjeçari Mendes, që është lindur në Holandë, ka thënë se është quajtur “zezak dhe mbledhës i pamukut”.

“Jam thjeshtë shumë i zemëruar dhe i trishtuar që këto gjëra ende ndodhin”, ka shtuar ai.

Prokurorët do të studiojnë gjirimet e kamerave dhe do të punojnë me policinë për të zbuluar se çfarë ka ndodhur gjatë ndeshjes. Federata e Holandës ndërkohë mund të ndaloj hyrjen në stadiume për tifozët dhe po ashtu të ndëshkojë edhe klubet nëse vlerësohet se nuk kanë bërë mjaftueshëm për të parandaluar fyerjet raciste.

Ndeshja, që përfundoi me rezultatin 3:3 ku Moreira shënoi në minutën e 44-të, rinisi pas një vonese dhjetëminutëshe.

Është incidenti i radhës i racizmit në futbollin evropian në muajt e fundit, gjatë të cilës periudhë ishin fyer lojtarët e Anglisë në eliminatoren për “Euro 2020” në Bullgari, ndërsa sulmuesi i Brescias, Mario Balotelli kërcënoi të largohej pasi ishte shënjestruar nga tifozët mysafirë, që bënin zëra të majmunëve, në humbjen në udhëtim ndaj Veronas në Serie A.