Sport

Komiteti Olimpik i Kosovës bëhet anëtar i 121-të i FICTS-së

Komiteti Olimpik i Kosovës është bërë anëtar i 121-të i Federatës Ndërkombëtare për Kinemanë Televizive Sportive (FICTS), bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Më tutje thuhet se vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i FICTS i është dërguar presidentit të Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani.

“Njohja e KOK-ut në FICTS vjen pas takimit të presidentit Hasani me presidentin e FICTS, Franco Ascani, gjatë Festivalit të 37-të të FICTS “Sports Movies & TV”, që u mbajt në fund të muajit të kaluar në Milano të Italisë”, thuhet në komunikatë.

E pikërisht Ascani është rizgjedhur president i FICTS edhe për një mandat.

Hasani e ka vlerësuar lart anëtarësimin në FICTS, i cili tani ia hap dyert edhe Kosovës, e cila që nga viti i ardhshëm do të organizojë Festivalin e Filmit Sportiv në Kosovë, ndërsa filmat më të mirë të zhanreve të ndryshme të zgjedhur në Festivalin e Kosovës nga Juria profesionale, do të marrin pjesë në Kampionatin Ndërkombëtar të FICTS, që do të mbahet për herë të 38 në Milano të Italisë, në nëntorin e vitit 2020.