Sport

Vojvoda e Aliti optimistë për kualifikimin e Kosovës në Evropian

Foto: Driton Paçarada / KD

Mbrojtësit Mërgim Vojvoda e Fidan Aliti janë optimistë se Kosova do të mund të arrijë të kualifikohet për në Euro 2020, përmes Ligës së Kombeve.

Kosova pësoi humbje në ndeshjen e fundit të kualifikimeve për në kampionatin evropian “Euro 2020”, nga Anglia me rezultat 0:4.

Pas ndeshjes Mërgim Vojvoda u shpreh se rezultati i kësaj ndeshjes nuk ishte me rëndësi. Ai falënderoi tifozët, që janë duke e përkrahuar në mënyrë të pandalshme kombëtaren e Kosovës.

“Mendoj që rezultati nuk ka qenë shumë i rëndësishëm. Kemi treguar një lojë të mirë. Kemi dashur t’i bëjmë krenar krejt tifozët që na kanë përkrahë në gjithë këto kualifikime. Ndeshjet në shtëpi edhe ato jashtë janë për ata, dua t’i falënderoje të gjithë tifozët që na kanë përkrahë. Mënyra se si kemi humbur nuk është e drejtë besoj, por rezultati është ky. E dimë që kemi luajtur kundër një kombëtare të fortë”, tha fillimisht Vojvoda.

Për ndeshjen ndaj Maqedonisë Veriore, Vojvoda tha se Kosova ka shanse të mira që ta fitojë dhe të mendojë për një kualifikim për në kampionatin Evropian.

“Normal që kemi shanse, nuk duhet të mendojmë se ka përfunduar. E kemi fituar edhe Ligën e Kombeve që besoj se shumë pak njerëz kanë menduar që mund të bëjmë atë dhe kjo tregon se jemi rritur shumë si kombëtare, por ka ende gjëra që duhet të mësojmë. Tash duhet të fokusohemi nëpër klube, mu përgatit për lojën në Mars që e kemi”, përfundoi Vojvoda.

Kurse qendërmbrojtësi Fidan Aliti tha se kanë luajtur mirë, por nga minuta e 80-të kanë pësuar disa gola që nuk duhej të pësonin, transmeton KosovaPress.

“Jo vetëm në mbrojtje, por tërë ekipi çdo pozicion i tyre është top, kanë top lojtarë edhe e kemi ditë edhe para ndeshjes që ka me qenë shumë e vështirë, por besoj që katër gola janë shumë për këtë lojë se kemi luajtur mirë besoj dhe nga minuta e 80-të kemi pësuar disa gola që nuk ka pasur nevojë”, u shpreh Aliti.

Njëkohësisht tha se shpresa për kualifikim nuk ka marrë fund, pasi beson që mund ta mposhtin Maqedoninë në kuadër të Ligës së Kombeve.

“Normalisht nëse nuk besojmë aty nuk kemi çka të flasim dhe nuk kemi nevojë të shkojmë në Maqedoni. Unë kam plotësisht besim që do të shkojmë në Evropian”, përfundoi ai.

Kosova e përmbylli kualifikimet për Euro 2020 në vendin e tretë në tabelë me 11 pikë, katër me pak se Çekia që renditët në vendin e dytë, ndërsa lider është Anglia me 21 pikë.