Sport

Shumë lëvdata nga anglezët për mikpritjen, megjithatë, shumë tifozë mbesin jashtë stadiumit

Duke e kënduar himnin anglez, tifozët e këtij vendi zgjodhën ta kalojnë ditën e diel në prag të ndeshjes Kosovë-Angli.

Festa e tyre me këngë e valle angleze u shoqërua edhe me pije vendore, në shumicën e kafeneve të qytetit, raporton KTV.

Ndonëse nuk arriti të siguronte bileta për ndeshjen, Tim Brooks thotë se atmosfera para ndeshjes dhe rehatia që ua ka dhënë Kosova, do të jetë e njëjtë me atë brenda stadiumit.

Derisa i mahnitur me atmosferën e krijuar në Kosovë shprehet edhe një tifoz tjetër anglez. Sipas tij, kafenetë e qytetit dhe mikpritja brenda tyre, ngjajnë shumë me atë që ofrohet edhe në Angli.

E përveç atmosferës para ndeshjes me Kosovën, qytetarë të tjerë anglezë janë ndarë të kënaqur edhe me traditat këtu, si dhe me ushqimet dhe pijet që kanë shijuar.

Për ta, ky qëndrim i shkurtër në Kosovë ka bërë që të dashurohen me vendin dhe, veç tjerash, thanë se Kosovën do ta vizitojnë përsëri në të ardhmen.

Se interesimi për traditat dhe ushqimin vendor ka qenë i madh e thonë edhe punëtorë të kafeneve lokale.

Për të gjithë ata tifozë kosovarë e anglezë që nuk arritën të sigurojnë bileta, ndeshjen do të mund ta shohin përmes ekranit gjigant të vendosur në sheshin kryesor të qytetit.

Derisa, për shkaqe sigurie, Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga kryesore që dërgon në stadiumin “Fadil Vokrri’’ është bllokuar për qarkullimin e automjeteve.